Në emisionin “Debat në Shenja” mbrëmë u diskutua për ndryshimet e propozuara në tre ligje që prekin arsimin e lartë në vend: ligjin për arsimin e lartë, ligjin për cilësi dhe ligjin për shkencë. Prorektori i Universitetit Nënë Tereza, Bunjamin Bela, tha se ndryshimet në arsimin e lartë janë të mirëseardhur me qëllim përmirësimin e cilësisë, por se këto ndryshime duhet të jenë në përputhje me të gjithë aktorët të cilët e përbëjnë arsimin e lartë.
BUNJAMIN BELA, PROREKTORI PËR FINANCA NË UNT
“Ne jemi dëshmitarë të gjithë procesit që nga fillimi deri më tani se përfaqësimi ose kërkesat, sygjerimet e profesoratit në lidhje me propozim ligjin nuk kanë qenë të përfaqësuara denjësisht. Posaçërisht po flas për universitetet shtetërore shqiptare të cilat aq sa kam dijeni në koordinim me profesorët e universiteteve tjera nuk është se në këtë propozim ligj kanë qenë të konsultuara në mënyrë të dinjitetshme në aspektin profesional të përpilimit të këtij ligji”.
Ndërkaq profesor Universitar nga Universiteti i Tetovës, Bashkim Selmani thotë se nuk mund të sillet një ligj pa pranin e Universiteteve apo pa përfaqësues të tyre, dhe vlerëson se ligji për arsim të lartë brenda vetes ka “hile”, dhe se nuk mund të sillet një ligj pozitiv kur qëllimet janë negative.
Bashkim Selmani, profesor i UT-së
“Ky ligj brenda vetes përmban një lloj, populli thotë, hile. Universiteti i Tetovës bëri vlerësimet profesionale mbi projektligjin për arsimin e lartë, ne i kemi të gjitha vlerësimet tona duke filluar nga autonomia, ushtrimi veprimtarisë, institucioneve, mënyra e qasjes, përfitimet që do sjellë ligji por edhe ngulfatjen, në këtë rast ky ligj, pra ligjvënësi e ka synimin negativ, nuk mund ju të keni synime negative dhe të sjellni ligje pozitive”.
Nga ana tjetër, këshilltari i Rektorit të IBU-së, Betim Ameti, tha se ata si Universitet jo që nuk kanë qenë të konsultuar nga ana e ministreshës së arsimit për ligjit për arsim të lartë, por se as që nuk janë përfshirë në debat.
Betim Ameti, profesor dhe këshilltar juridik i rektorit në Universiteti Ballkanik
“Ne që nga fillimi jo që nuk jemi konsultuar nga ana e ministreshës, po as nuk kemi qenë të përfshirë në debate, po ka këtu edhe një, ta quaj kështu, një gabim në hapa nga ana e ministreshës për shkak se debatet u hapën, pasi u publikua propozim ligji në regjistrin ose ener që e quajm në regjistrin e akteve, atëher filluan debatet, që në vetvete është në kundërshtim me metodologjinë e qeverisë për sjelljen e ligjeve”.
Tutje ai thotë se nuk ka ndonjë universitet qoftë privat apo publik i cili i trembet kualitetit, sepse siç tha ai, të gjithë tentojnë që ta rrisin kualitetin për shkak se me këtë i bëjnë mirë edhe vetvetes, edhe shoqërisë.
Anida Murati /SHENJA/


