Ministria e Arsimit ende nuk ka gjetur një zgjidhje në lidhje me mungesën e mësimdhënësit në paralelen shqipe në Shkollën Fillore “Vëllazërimi” në Nerez. Përderisa nxënësit e klasës së parë në këtë shkollë vazhdojnë të ndjekin procesin edukativo-arsimor me mungesë të mësimdhënësit, duke u endur çdo ditë nga një paralele në tjetër, përgjegjësit e dikasterit përkatës nuk janë të kapshëm për përgjigje. Televizioni SHENJA ka tentuar të kontaktojë gjatë ditës së djeshme këtë dikaster, për të pyetur se çfarë do të ndodhë me këtë paralele, megjithatë atë nuk kanë dhënë detaje, por kanë dhënë vetëm përgjigje të shkurtër se po zhvillojnë bisedimet në tentim për të zgjidhur çështjen, ndërkohë gjatë ditës së sotshme ata kanë heshtur.
Nga ana tjetër, prindërit e 14 nxënësve të kësaj paralele kanë paralajmëruar radikalizim të masave nëse organet kompetente nuk e zgjidhin çështjen që prekë fëmijët e tyre. Gjegjësisht, ata kanë paralajmëruar se nxënësit do të bojkotojnë procesin mësimor, ndërsa atyre do t’i bashkohen edhe paralelet e klasave më të larta.
Ndërkaq, në shenjë revolte, prindërit e nxënësve të hënën kanë mbajtur një protestë para shkollës në fjalë. Sipas tyre, edhe pse kanë bërë kërkesa me shkrim edhe me gojë në drejtori dhe në komunë nuk ka vullnet për zgjidhjen e problemit.
Por, drejtoreshë e kësaj shkolle, Jadranka Popovski, fajin ia hedh Ministrisë së Arsimit, pasi thotë se kanë dorëzuar kërkesë për punësimin e një mësimdhënësi por nga atje akoma nuk kanë miratuar mjete për këtë.
Në vitin shkollor 2016-17 në këtë shkollë në klasën e parë në mësimin në gjuhën shqipe janë regjistruar 35 nxënës me çka sipas ligjit për arsim fillor duhet të formohen dy paralele. Megjithatë, edhe pse paralelja është ndarë në dy, njëra paralele e cila ka 14 nxënës që nga fillimi i vitit ka mbetur pa mësimdhënës.
Teuta Buçi /SHENJA/
8