Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka kërkuar që Qeveria të shtyjë afatin që banorët e pastrehë të Hasanbegut që pësuan nga përmbytjet të mund të qëndrojnë së paku deri në prill në konviktin në Tome Stefanovski-Seniq dhe Qendrën Partenia Zogravski. Por, sipas ministrit Ibrahim Ibrahimi, sot ose nesër Qeveria do të duhet të japë qëndrim të saj, i cili pritet të jetë pozitiv.
“Mendoj që sot, më së voni nesër (qeveria) do të vendos, megjithatë mendoj se përgjigjja do të jetë pozitive. Unë personalisht mendoj që do të jetë pozitive, sepse nuk mundemi që njerëzit të lëmë në rrugë”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Në lidhe ankesat e banorëve se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet dhe që nuk kanë se ku të vendosen, ministri Ibrahimi, thotë se për këtë hasanbegasit duhet të drejtohen tek komisioni që është përgjegjës për këtë punë.
“Kanë të drejtën për ankesë deri tek komisioni që është përgjegjës për vlerësimin, Ai është komision i pavarur dhe vlerëson, ne si Ministri nuk kemi kompetenca. Komisioni vendos se çka dhe si më tutje”, theksoi Ibrahimi.
Ministri Ibraimi thotë se në bisedë me Ministrinë e Financave, e kanë informuar se të gjithëve u është bërë pagesa, por dikush mund të ketë problem me xhirollogarinë bankare. Sipas Ibrahimit,ekipet e angazhuara për të shqyrtuar situatën janë në terren prej mbrëmë dhe vazhdojnë edhe sot punën për të parë se si është gjendja reale. Ndërkohë, mbi 140 banorë të Hasanbegut të cilët u dëmtuan rëndë nga përmbytjet, qëndrojnë të strehuar në konvikte.
Mefail Ismaili /SHENJA/