Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski ka vizituar sot në Tetovë kryetarin e Komunës Bilall Kasami, njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Besa. Mickoski tha se me Kasamin kanë folur për bashkërendimin e opozitës për të larguar pushtetin aktual, i cili sipas tij nuk do të largohet vetë. Madje sipas Mickoskit, VMRO DPMNE ka plan konkret se si do ta detyrojë pushtetin të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, plan të cilin nuk deshi ta bëjë publik.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Është normale se këta nuk do të largohen. Është normale se do të dëshirojnë deri në momentin e fundit të thithin nga populli. Nëse mendoni se do të largohen vet, ja po ju them se nuk do të largohen. Por, për këtë shkak ne si opozitë kemi metodat tona institucionale dhe jashtë institucioneve, të luftojmë për shkak se populli e pret nga ne që të jemi në anën e tyre. Të mos na përsëriten djegie të njerëzve si në spitalin modular këtu, të mos na përsëritet ‘Besa Trans’ siç ishte rasti në Bullgari dhe kështu me radhë”.
Bilall Kasami nga ana tjetër tha se në periudhën në vazhdim, Lëvizja Besa do të koordinohet me VMRO DPMNE-në me qëllim të imponimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
SINKRON – BILALL KASAMI, KRYETAR I TETOVËS
“Biseduam për bashkëpunimin në nivel qendror si dy parti opozitare që të ofrojmë zgjidhje për problemet që ballafaqohet shteti në këto momente kritike. Biseduam për zgjidhjen ekonomike, veçanërisht për krizën energjetik. U dakorduam që ditët në vazhdim të kemi koordinime të përbashkëta në drejtim të imponimit të zgjedhjeve të parakohshme, që vullneti i qytetarëve të vijë në shprehje edhe në pushtetin qendror”.
Sipas dy kryetarëve të partive opozitare, sa më gjatë të qëndrojnë në pushtet LSDM dhe BDI, aq më shumë do të thellohen problemet dhe krizat e njëpasnjëshme të cilat i ndjejnë drejtpërdrejt të gjithë qytetarët e vendit. /SHENJA/