Bisedimet mes kryeministrit Mickoski dhe koalicionit VLEN për rikonstruimin e Qeverisë vazhdojnë edhe më tutje megjithtëse kanë filluar një javë e tepër. Në konferencën e fundit, ai deklaroi se për ndryshimet kadrovike brenda për brenda VMRO-së do të vendosë pas kongresit që partia do ta zhvillojë në dhjetor.
HRISTIAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
“Në këtë moment jemi të fokusuar si VMRO-DPMNE në përgatitjet e Kongresit të rregullt të partisë që do të ndodhë më 6 dhjetor. Në kuadër të koalicionit vazhdojnë konsultimet”
Ndërkaq, Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, as nuk e konfirmon e as e mohon që do të mbetet në post pas rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë.
E pyetur nga TV Shenja, Janevska tha se do të respektojë çdo vendim që do të marrë partia po edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Janevska theksoi se procesi i rikonstruimit është në kompetencë të plotë të kryeministrit, i cili vendos se kush mbetet dhe kush largohet nga kabineti qeveritar.
VESNA JANEVSKA – MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
Vendi ka kryeministër, partia ka organe që diskutojnë për të mirën e vendit, megjithatë bëhet fjalë për ministra, që do të udhëheqin me shtetin. Është kryeministri ai që propozon ministra ose Qeveri para Kuvendit dhe ai sipas meje, me gjithçka që ka treguar deri më tani, ka të drejtën e plotë të vendos, se kush do të jetë ministër a do të jetë ministër dhe ku do të jetë ministër. Unë do ta respektoj çdo dëshirë dhe vendim të tij.
Tema e rikonstruimit u hap pas dorëheqjes së Izet Mexhitit nga pozitat e zv.kryeministrit dhe ministrit, pasi ai mori drejtimin e Komunës së Çairit.
Për postin e zv.kryeministrit përmendet emri i deputetit të VLEN-it, Bekim Sali, ndërsa negociatat mes partnerëve të koalicionit po zhvillohen edhe për disa ministri tjera, përfshirë Arsimin, Shëndetësinë dhe Eurointegrimet.
Mevludin Imeri /SHENJA/


