Kryeministri Hristijan Mickoski tha të mërkurën se së bashku me partenerët e tij të koalicionit VLEN e kanë hapur çështjen për ndryshimin e stemës së Maqedonisë së Veriut. “Ne jemi një nga dy vendet postsocialiste që ende e kemi stemën e vjetër shtetërore, me disa modifikime të vogla”, tha Mickoski, duke theksuar nevojën e harmonizimit me standardet moderne heraldike.
Ndërkaq, për këtë sot ka folur njëri ndër krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, i cili tha se janë të hapur për të biseduar për një pako që do të përfshinte edhe ndryshimin e himnit dhe të definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.
BILALL KASAMI,KRYETAR I LËVIZJES BESA
“Ne duam që të reflektojmë kohën e re, dhe ajo është Maqedonia pjesë e familjes europiane. Do të kishim qenë të gatshëm që të flasim për një pako ku sigurisht do të kishte qenë në shqyrtim edhe stema, edhe çështja e himnit por edhe çështja e ndryshimeve të tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve apo me çështjen e definimit jo të përshtatshëm të gjuhës shqipe në kushtetutë, si gjuha e 20%-shit”.
E, këtyreve të fundit i’u është përgjigjur kryetari i partisë opozitare LSDM, Venko Filipçe, i cili thotë se ndryshimin e Stemës do ta kundërshtojnë ashpër.
VENKO FILIPÇE,KRYETAR I LSDM-SË
“Ne besojmë se stema shtetërore është në mënyrë mjaft të përshtatshme, para së gjithash heraldike, pasqyron të gjitha karakteristikat e këtij nënqielli. Vazhdimësia dhe përfitimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare janë të qarta. Nuk ka asnjë ndarje lidhur me grupet etnike, dhe nëse ka ndonjë iniciativë të tillë, me të gjitha mjetet demokratike, ne do ta kundërshojmë ashpër ndryshimin e stemës shtetërore”.
Filipçe tha se ky propozim ka qenë në tryezë disa vjet më parë, gjatë qeverisë së kaluar, kur VMRO-DPMNE ka qen në koalicion me BDI-në, ndërsa ngre dyshime për ndonjë marrëveshje eventuale të tanishme mes VMRO-së dhe koalicionit VLEN, se janë dakorduar edhe për ndryshimin e himnit.
Samir Mustafa /SHENJA/