Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë ditës së sotme i është përgjigjur liderit të opozitës maqedonase, Venko Filipçe, i cili të martën deklaroi se vendi ka stagnuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ai theksoi se këto vlerësime nuk qëndrojnë dhe se Qeveria po vazhdon me realizimin e reformave dhe përmbushjen e obligimeve evropiane, duke sjellë progres konkret në procesin e integrimit. Në këtë kontekst, ai iu referua edhe raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, i cili tha se ka vlerësuar se vendi ka shënuar përparim dhe se po realizohen reforma konkrete.
Sipas Mickoskit, kjo është dëshmi se rruga evropiane e vendit po vazhdon, ndërsa Qeveria mbetet e fokusuar në agjendën e reformave dhe në përmirësimin e standardit të qytetarëve, ndërsa akuzoi LSDM-në, se në opinion përhap gënjeshtra.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Gjithashtu, edhe deklaratën e Vajcit e interpretonin në mënyra të ndryshme. Por ai doli dje dhe e sqaroi shumë qartë atë që kishte për të thënë dhe shumë gjëra të tjera. Prandaj paralajmëroj që çdo konferencë për shtyp dhe çdo deklaratë që vjen prej tyre të merret me rezervë. Kjo është një parti politike që në këtë moment nuk po lufton për qytetarët, por për udhëheqjen aktuale brenda partisë. Kjo është strategjia e tyre politike”.
Mickoski komentoi edhe nismën e Frontit Evropian, respektivisht BDI-së, për mbledhje të nënshkrimeve për nisjen e procesit për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se BDI duhet të punojë për problemet që ka me kuadrin dhe programin në parti, ndërsa shton se çështjet shtetërore, i zgjidh qeveria.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“BDI kishte mundësi ta bënte atë kur ishte në qeveri, 20 vjet ishte në qeveri. Kështu që mendoj që BDI ka problem me kuadrot dhe programin. Unë do t’u sugjeroja ta zgjidhin problemin me kuadrot dhe programin, ndërsa problemet shtetërore do t’i zgjidhë qeveria që ka legjitimitet nga qytetarët”.
Kujtojmë se Fronti Europian të hënën njoftoi për nisjen e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për nisjen procedurës për ndryshimet kushtetuese, nga ku deputeti Blerim Bexheti tha se kjo çështje i tejkalonë interesat partiake dhe është thelbësore për orientimin strategjik të shtetit.
Samir Mustafa /SHENJA/


