Shumica parlamentare vazhdon të përballet me mungesën e “Badenter-it”. E për këtë janë kritikuar nga BDI. Kryeministri Hristijan Mickoski për ta thotë se për shkak se nuk janë mësuar të jenë në opozitë, po mundohen të përdorin truke që të vijnë në pushtet, por u sugjeron që të reformohen dhe siç thotë ndoshta në ndonjë palë zgjedhje tjera mund të jenë konkurrent.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“BDI 20 vitesh është në opozitë, vështirë po e përballon këtë. Është e dukshme se në strukturat e saj kanë probleme të mëdha, po mundohen me truke të ndryshme të bëjnë presion, që të vijnë përsëri në pushtet. Mendoj se në këto zgjedhje fituesi është i qartë dhe ajo është shumica parlamentare. Unë i kuptoj se nuk janë mësuar me këtë mënyrë të menaxhimit të proceseve në shtet, por duhet të mësohen, të marrin mësim, të reformohen dhe ndoshta në ndonjë prej proceseve të ardhshme zgjedhore, do të jenë konkurentë”.
Afrimi i zgjedhjeve, ka nxjerrë në pah edhe shumë problematika e mangësi. Edhe pse KSHZ miratoi rregullore të re për kandidatët e pavarur, të cilët duhet të mbledhin vetëm dy nënshkrime, ata përsëri nuk po zënë rehati. Ata ankohen se se janë në pozitë jo të barabartë në raportë me partitë. Mickoski shprehet se është e pamundur që të gjithë njerëzit të jenë të kënaqur.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë vërtetë nuk e di çfarë duhet të bëjmë që disa njerëzve të ju leverdis. Më herët thonin shumë nënshrkime, tani thonë pak nënshkrime janë. Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë ne si Qeveri që të sigurojmë që të gjithë të jenë të kënaqur, por kjo është e pamundur. Kjo është si rezultat i Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi dy nene, nuk u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Parlament dhe tani ky është reagimi”.
Rregulloren e re KSHZ e miratoi më 17 gusht.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/