Kryeministri Hristijan Mickoski akuzon partitë Levica dhe LSDM se, përmes amandamenteve të dorëzuara për propozim ndryshimet në Kodin Zgjedhor, po përpiqen të pengojnë votimin e diasporës, nga frika se nuk e gëzojnë besimin e tyre. Mickoski pretendon se, debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në grupin punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë konstruktiv, megjithatë në momentin e fundit partia Levica refuzoi ta nënshkruante propozimin për paraqitjen e Kodit Zgjedhor. Ai tha po ashtu se, kishin pranuar pranuar të gjitha propozimet e opozitës, linja e kuqe ka qenë votimi i diasporës.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ne tani shpenzojmë miliona euro duke dërguar njerëz nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga institucione të tjera për të qenë vëzhgues dhe për ta zhvilluar procesin e votimit të diasporës, i cili nuk është i suksesshëm. Sepse, normalisht, në Australi duhet të udhëtoni nga 10 orë vajtje-ardhje vetëm për ta ushtruar të drejtën tuaj të votës. E njëjta gjë vlen edhe për Kanadanë, SHBA-në, madje edhe për Evropën. Shpresoj që më në fund LSDM-ja dhe partia politike Levica, do të marrin guximin t’i lënë motivet e tyre politike në kënetën e tyre politike”.
Ndërkohë nga LSDM i janë përgjigjur akuzave të kryeministrit duke thënë se, Mickoski po synon të fusë në mënyrë të fshehtë votimin elektronik të diasporës, pa mekanizma të përshtatshëm kontrolli, verifikimi dhe garanci për fshehtësinë e votës. Sipas tyre, kjo krijon hapësirë për manipulime zgjedhore.
Jovanka Trençevska, nënkryetare e LSDM-së
“Sot, kur mbështetja për pushtetin është në rënie, shtrohet me të drejtë pyetja nëse Mickoski po përpiqet sërish t’i kompensojë votat e humbura në Maqedoni përmes një sistemi të pakontrolluar të votimit elektronik. Për më tepër, nuk ka asnjë arsye që kjo zgjidhje të miratohet me nxitim. Është paraparë të fillojë të zbatohet vetëm nga viti 2029. Ka pasur kohë të mjaftueshme që Qeveria ta tërhiqte propozimin, të hapte një debat të mirëfilltë publik dhe të siguronte një konsensus politik për rregulla zgjedhore që do të gëzonin besimin e të gjithëve”.
Përfaqësuesit e partive politike nuk arritën marrëveshje në takimet korrodinuese për kodin zgjedhor, pasi shumica parlamentare nuk heq dorë nga propozimi që diasporës t’i mundësohet votimi elektronik, ndërkaq për opozitën maqedonase kjo ishte e papranueshme. Kjo e fundit, ka dorëzuar 13 mijë amandamente për të bllokuar ligjin në komisionin parlamentar.
Teuta Buçi /SHENJA/


