Ministria e Ekonomisë dhe Punës publikoi sot thirrjen publike për mbështetje financiare për mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për zejtarët, për të cilën janë siguruar 11 milionë e 340 mijë denarë. Do të bashkëfinancohen 40% e shpenzimeve të dëshmuara për blerjen e makinerive dhe mjeteve të reja të punës, por jo më shumë se 200 mijë denarë për aplikues. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha se qëllimi është që t’i ndihmojnë kompanitë vendase të investojnë më lehtë.
BESAR DURMISHI, MINISTRI I EKONOMISË DHE PUNËS
“Qëllimi ynë është i qartë t’i ndihmojmë kompanitë vendase të investojnë më lehtë, të modernizojnë prodhimin, të rrisin produktivitetin dhe të krijojnë kushte më të mira për punë dhe zhvillim. Përvec kësaj mase, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, do të shpallë edhe dy thirrje të rëndësishmë publike në periudhën e ardhshme në kuadër të programit për mbështetjen e industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë sociale për vitin 2026.”
Durmishi sqaroi se thirrja e parë publike ka të bëjë me kompensimin e një pjese të shpenzimeve për vendosjen, implementimin dhe certifikimin e standardeve në industrinë përpunuese, me një buxhet total prej 2 milionë denarësh. Ndërsa thirrja e dytë publike, shtoi ai, është e orientuar drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet kompanive të industrisë përpunuese dhe universiteteve, përmes realizimit të projekteve të përbashkëta. Për këtë masë janë paraparë 5 milionë denarë.
Durmishi ftoi të gjitha kompanitë dhe zejtarët e interesuar që t’i ndjekin me kujdes kushtet e thirrjeve publike dhe të aplikojnë. Mbështetja ka të bëjë me investimet e realizuara gjatë viteve 2025 dhe 2026, ndërsa të drejtë pjesëmarrjeje kanë mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me kapital kryesisht vendas, si dhe zejtarët e regjistruar sipas dispozitave ligjore. Afati i fundit për aplikim është 30 qershor 2026. /SHENJA/


