Matka summer fest 2019
Për herë të parë këtë vit do të mbahet evenimenti kulturor interdisciplinar “Matka summer fest” që paraqet festival veror disa ditësh, ku në ambient të hapur (open air) do të gërshetohen arte të ndryshme.
Si që mund të kuptohet edhe nga vetë emri i festivalit, ai do të mbahet në Matkë (në oborrin e Fresh Lounge Bar), në një nga pikat më turistike në vend e cila vizitohet si nga të huajt ashtu edhe nga vendasit, por kryesisht gjatë ditës, sepse fatkeqësisht gjatë mbrëmjeve jo vetëm që rrallë mund të vërehet ndonjë vizitor, por mungojnë edhe ofertat dhe përmbajtjet e ndryshme kulturore që do ta ngjallnin Matkën edhe gjatë orëve të vona. Prandaj ky festival synon pikërisht këtë, së pari në përgjithësi Matka të ketë ofertë kulturore për vizitorët e vet, e në veçanti që Matkës t’i jepet shkëlqimi i merituar edhe gjatë natës. Përmes këtij festivali synojmë që njëkohësisht të ndikojmë pozitivisht ndaj ofertës kulturore, diversitetit, promovimit, zhvillimit të turizmit, por edhe ndaj biznes sektorit në vend.
Evenimenti qendror i festivalit janë koncertet që do të mbahen më datë 28 dhe 29 qershor ku do të marrin pjesë Blla blla blla dhe Offchestra (28 qershor) si dhe Muhamed Ibrahimi dhe Jericho (29 qershor) të cilët do të jenë të përcjellë nga dj Electron dhe dj Pitti.
Krahas evenimentit qendror, si program plotësues do të jenë edhe ekspozita disaditëshe me fotografi nga Matka të bëra nga disa fotograf të rinj si dhe performance tjera që do të mbahen disa ditë para koncerteve qendrore.
Festivali “Matka summer fest” është mbështetur nga Ministria e kulturës së RMV.
Hyrja në të gjitha evenimentet e festivalit është falas.
Shihemi në Matkë!