Infrastruktura në Matkë, njëra nga zonat më atraktive që më së shumti tërheq turist është lënë në mëshirën e fatit. Përzierja e ingerencave dhe mungesa e decentralizimit të plotë ka bërë rrugët që të çojnë deri në Matkë të mbushen përplot gropa.
Për çështjen në fjalë, TV Shenja intervistoi kreun e Komunës së Sarajit, komunë kjo të cilës i takon zona turistike. Kreu i Komunës, Iljaz Veseli tha se si institucion bëjnë të gjitha përpjekjet për të evituar dhe minimizuar sa më shumë pengesat që u paraqiten qytetarëve në rrugët për të shkuar në Matkë.
Megjithatë, shton se përzierja e ingerencave është një problematikë dhe paraqet pengesë dhe ndalon veprimin e plotë të Komunës së Sarajit në këtë drejtim.
ILJAZ VESELI, KRYETAR I KOMUNËS SË SARAJIT
“Jemi të njoftuar për gropat të cilat janë në atë pjesë, bëjmë përpjekje vazhdimisht që ta rehabilitojmë atë rrugë, mirëpo siç e dini se Komuna e Sarajit në disa segmente nuk është e mëvetësishme dmth, është e varur prej disa institucioneve tjera. Mirëpo, ne si komunë mundohemi që së paku ato gropa, ato pengesa të cilat janë t’i rregullojmë”
Veseli shpreson që Qeveria të aprovojë projektet me të cilat Komuna e Sarajit ka aplikuar në thirrjen e dytë, “Qeveria për Komunat”, me të vetmin qëllim, që mjetet buxhetore të Komunës të kanalizohen në rregullimin e problemeve tjera.
ILJAZ VESELI, KRYETAR I KOMUNËS SË SARAJIT
Shpresojmë në thirrjen e dytë në vitin 2025, kemi dorëzu disa projekte, shpresojmë që ta marrim hisen tonë dhe pastaj besoj se ne do të mund të vazhdojmë edhe me problematikat tjera që janë në nivel të komunës. Ato rrugë që i kemi bo ato projekte nëse kalojnë dhe janë të paraparë në atë buxhet ne do të mundemi së paku me mjete vetanake të mund ti kanalizojmë në problematikat tjera siç është edhe e Matkës, mirëpo varësisht thash prej asaj nëse do të na pranohen ato mjete.
TV Shenja për këtë çështje kërkoi përgjigje edhe nga Qyteti Shkupit. Kërkuam që institucioni të cilin drejton Danella Arsovska të na tregojë nëse janë kompetent për këtë çështje dhe nëse kanë ndërmend të marrin ndonjë aktivitet për të sanuar sado pak gropat që në të ardhmen mund të bëhen shkak i largimit të turistëve nga kjo zonë atraktive.
Mevludin Imeri /SHENJA/