Të maskuar në kokë, me pistoleta dhe kallashnikovë në duar, tmerri i vjedhjeve të armatosura është kthyer në Çair dhe në lagjet e banuara kryesisht me shqiptarë. Bastoret, posta, marketet dhe dyqanet e mëdha të tregtisë me pakicë dhe shumicë, barnatoret, pompat e benzinës… janë piketuar si vendet ku më së shumti kryhen vjedhjet e hajnave të armatosur, e të cilët besohet të jenë shqiptarë. Gazeta KOHA merr vesh se ditë më parë, tre persona të maskuar dhe të armatosur – dy me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë dhe qese në dorë, vodhën fitimin ditor të kompanisë për teknikë të bardhë “Neptun” që gjendet përballë stadiumit të klubit “Shkupi” në Çair, ndërsa javë më parë, hajnat – që në video-filmimet që ka parë gazeta KOHA, paraqiten me të njëjtën veshje – plaçkitën dy bastore sportive po në këtë komunë. Asnjëri nga këto raste deri tani nuk është zbuluar, megjithëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se po punohet intenzivisht për kapjen e autorëve.
“Rastet e potencuar janë të denoncuara në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup, me çka shërbimet policore dhe inspektorët që i procedojnë këto lëndë, janë duke punuar në zbulimin e identitetit të autorëve. Prezenca e policisë në lagjen e Çairit dhe Shkup-Veri, është e zakonshme komfor patrullave të deritanishme”, thotë shkurt për KOHA, zëdhënësja e SPB-Shkup, Liza Bendevska.
Vjedhja e armatosur në kompaninë “Neptun” në Çair
Edhe para një muaji, njëjtë sikur herëve të fundit, u plaçkit bastorja sportive “Sport Life” në rrugën “Tale Hristov” në Çair, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, u vodh edhe Posta-Veri në po këtë komunë. Vjedhjet, siç thuhet në raportet ditore të policisë, kryhen në pasdite, ose kryesisht në mbrëmje, sapo bie terri. Dy-tre persona të maskuar dhe të armatosur madje edhe me kallashnikovë, futen me shpejtësi brenda objektit, ndërsa i drejtojnë armën shitëses. Pasi e detyrojnë të dorëzojë fitimin ditor, hajnat me shpejtësi ikin, ndërsa jashtë priten nga një veturë, e cila është gati për t’u nisur – kuptohet, gjithmonë pa targa ose targa të mbuluara. Përveç në biznese të ndryshme, hajnat kanë filluar të operojnë edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve në Çair, Gazi Babë, Seravë dhe Tophanë. Raportet ditore të Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se vetëm vitin e kaluar, mbi 30 vjedhje kanë ndodhur në shtëpitë e këtyre lagjeve në Shkup, ndërsa shumë pak raste janë zbuluar. Ndryshe nga vjedhjet e rënda, ku dyshohet për grup të organizuar dhe të armatosur, vjedhjet nëpër shtëpi policia dyshon se kryhen nga narkomanë të këtyre lagjeve, të cilët shfrytëzojnë momentin kur mungojnë familjarët. Në Çair, Seravë, Gazi Babë dhe Tophanë tashmë ndjehet frika e banorëve. Ata kërkojnë shtim të patrullave policore, ndërsa akuzojnë se në të shumtën e rasteve, edhe nëse kapen hajnat, dënimet që i marrin janë minimale.
“Në Gazi Babë, por edhe në Çair dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët në Shkup, asnjëri tashmë nuk guxon të lë shtëpitë të vetme dhe të shkojnë mysafir diku. Vjet, nga fillimi i vitit, u ulë numri i vjedhjeve, sepse policë kishte më shumë, por nga nëntori i vitit të kaluar e deri më tani, nuk ka ditë që nuk vidhen dy-tre shtëpi, ose biznese tjera”, thotë Agimi nga Çairi, i cili akuzon policinë se shumë pak vëmendje po i kushton Komunës së Çairit. Madje, si shitës në një dyqan ushqimor në këtë pjesë të Shkupit, ai thotë se rrallë sheh patrulla policie, përveç atyre që kalojnë sa për të larguar veturat që parkohen në rrugën “Cvetan Dimov”. “Edhe dënimet që marrin këta hajna, që për fat të keq janë të shumtë dhe të rrezikshëm, nuk janë të larta dhe meritore. Ndodhë që shpesh, pasi janë kapur, t’i shohim sërish në rrugë pas 3-4 muajve…”, ankohet Agimi.
https://www.facebook.com/Shqipmedia/videos/10154832672737221/