2 Maj 2001, ora 15:00, në fshatin Sllupçan të Likovës, u shpall Zonë e Lirë, dita e fillimit të luftës së UÇK-së, në Karadakun e Kumanovës nga brigada 113, e njohur si Brigada e “Ismet Jasharit” apo Komandant Kumanova. Që atëherë, çdo vit tradicionalisht banorët e fshatit Sllupçan dhe më gjerë përkujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e re të kësaj zone, ditën kur kjo zonë u shpallë e lirë.
Në manifestimin e kësaj date dhe nën simbolikën e orës 15:00 marrin pjesë ish-luftëtarë të UÇK-së, veteranë të luftës, invalidë, familjarë të dëshmorëve të rënë në altarin e Lirisë, si dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Poashtu përkujtohen të gjithë ata që ranë dhe u flijuan për çështjen kombëtare në luftën e 2001 me emblemën e UÇK-së.
Sllupçani, si një nga qendrat kryesore të qëndresës gjatë vitit 2001, ka ruajtur gjallë kujtesën kolektive përmes brezave. Sot, ky fshat është simbol i identitetit, rezistencës dhe aspiratës për barazi dhe drejtësi.
Më 2 majin e para 24 vitesh territori i Komunës së Likovës ishte shpallur zonë e lirë, ku më pas për disa muajë me radhë u zhvillua luftë e ashpër midis forcave të UÇK dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë , deri në nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/