Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska thotë se VMRO-DPMNE ka refuzuar amendamentet e LSDM-së për paga më të larta. Ajo theksoi se VMRO pa argumente dhe pa ndjenja për problemet me të cilat qytetarët ballafaqohen çdo ditë përballë rritjes së madhe të çmimeve dhe rritjes së kostos së jetesës, hodhi poshtë amendamentet për rritje të pagave.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Po shohim politika antisociale të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, kthim në modelin në të cilin punëtorët do të jenë vetëm fuqi punëtore e lirë. Qeveria refuzon çdo gjë që është propozim për rritjen e pagave. LSDM ka dorëzuar projektligj për rritjen e pagës minimale në 450 euro, por VMRO-DPMNE e ka refuzuar. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, standardi i jetesës së qytetarëve po përkeqësohet dhe varfëria po rritet. Një familje prej katër anëtarëshe i nevojiten 62.021 denarë në muaj për shpenzimet bazë. Shporta sindikale për vetëm një muaj është rritur për 722 denarë. Të gjitha këto janë tregues se populli ka gjithnjë e më pak para në xhepat e tij”.
Ajo shtoi se punëtorët, mësuesit, zjarrfikësit dhe policët meritojnë respekt, dinjitet dhe paga të drejta dhe akuzoi se qeveria e VMRO-DPMNE-së në vend që t’i mbështesë ata dhe buxhetet e tyre familjare, buxhetin e destion për lukse të funksionerëve.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Përderisa VMRO refuzon amendamentet për paga më të larta, në të njëjtën kohë rrit paratë në buxhet për mobilje dhe vetura luksoze për zyrtarët. Qeveria rrëmben para për vete, fondet i destinon për lukse të funksionerëve dhe ministrave, ndërsa populli le të vuajë. 7.5 milionë euro do të shpenzohen për automjete të reja, 1.5 milionë euro për mobilje të reja dhe 80 milionë euro për shërbime kontraktuese. Absurde. Blerje e makinave luksoze, mobiljeve dhe rritje e shërbimeve kontraktuese për zyrtarët, ndërkohë që mijëra familje pyesin se si do ta mbijetojnë këtë muaj”.
Kuzeska tha se buxheti i propozuar për vitin e ardhshëm është buxhet për qeverinë, jo për popullin dhe se nuk ka as investime, as zhvillim e as mbështetje për qytetarët.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/