Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, sot ka paraqitur akuza serioze në lidhje me, siç e quajti ajo, “skandalin me kompaninë familjare” të lidhur me Ivica Tomovskin, drejtor i Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë. Kuzeska tha se një kompani në të cilën marrin pjesë të afërm të Tomovskit ka fituar gjithsej 161 tenderë në vlerë prej rreth 5.3 milionë euro.
Kuzeska pretendon se Tomovski po përpiqet të distancohet nga kompania, edhe pse, siç theksoi ajo, në të janë të përfshirë babai i tij Vitomir, i afërmi i tij Kutanovski, dhëndri dhe nipi. Ajo shtoi se si numër kontakti i kompanisë figuron një numër telefoni që, sipas saj, i përket pikërisht Tomovskit.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Tomovski është donator i VMRO-DPMNE-së. Një nga ata që duan të dallohen me shuma të mëdha. Vetëm në vitin 2021 ka dhënë donacion 8.000 euro për VMRO-DPMNE-në. 499.700 denarë, 100.000 denarë, 70.000 denarë, 100.000 denarë — rregullisht Tomovski ka paguar në llogarinë e VMRO-DPMNE-së. Dhe jo vetëm Tomovski. Edhe dhëndri i tij, Kutanovski, është gjithashtu donator i VMRO-DPMNE-së. Kompani familjare, donacione familjare”.
Ndërkaq, në lidhje me ketë, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, LSDM reagon përsëri me konstrukte politike, pa ofruar asnjë provë konkrete për ndonjë shkelje të mundshme.
VMRO-DPMNE
“Është çështje logjike elementare që Tomovski nuk ka autoritet, asnjë pjesëmarrje në procedurat e prokurimit publik dhe asnjë vendim zyrtar që mund të lidhet me tenderët. Kjo është një situatë faktike qartësisht e verifikueshme”.
Kur nuk ka fakte, LSDM shtojnë nga partia e Mickoskit, përpiqet të krijojë një skandal të rremë me interpretime dhe dezinformim klasik. Kjo strategji , ata thonë se mund të ketë pasur një gjysmë-efekt në të kaluarën, por sot qytetarët presin argumente.
Ndërkohë, LSDM kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe nga Prokuroria Publike të hapin hetim për konflikt të mundshëm interesi dhe korrupsion në majën e qeverisë së udhëhequr nga siç thonë, Hristijan Mickoski.
Samir Mustafa /SHENJA/


