Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), njoftoi se defekti për shkak të të cilit një pjesë e sallave kirurgjikale në Qendrën Klinike nuk janë funksionale, është edhe një tregues i gjendjes së dobët në sistemin shëndetësor. Renata Mladenovska, anëtare e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, deklaroi se për shkak të këtij defekti janë anuluar operacionet dhe ndërhyrjet e planifikuara më herët, të cilat nuk janë vlerësuar si urgjente. “Kur në sallat kirurgjikale nuk ka kushte për punë, nuk shtyhen vetëm operacionet, por edhe shpresat e pacientëve për shërim. Shtyhen shpresat e dikujt për t’u shëruar, zgjatet pasiguria e pacientëve dhe vihet në rrezik siguria e tyre”, deklaroi Mladenovska.
Renata Mladenovska, anëtare e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së
“Për dy vjet, Mickoski dhe VMRO-DPMNE e kanë çuar sistemin shëndetësor drejt kolapsit. Në mes të verës, në temperatura përvëluese, sallat kirurgjikale në Qendrën Klinike nuk funksionojnë – sistemi ka pësuar defekt. Po anulohen operacionet e planifikuara më herët dhe ato që janë vlerësuar si jo urgjente Janë anuluar ndërhyrjet në Klinikën e Traumatologjisë, Klinikën e Sëmundjeve Ortopedike, si dhe në repartet e Anesteziologjisë, Reanimacionit, Mjekimit Intensiv dhe Qendrës së Urgjencës. Ky është edhe një dëshmi e neglizhencës së plotë dhe paaftësisë së kësaj Qeverie dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar kushtet elementare për funksionimin e sistemit shëndetësor”.
Mladenovska e akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe Ministrinë e Shëndetësisë për neglizhencë ndaj sistemit shëndetësor, duke theksuar se po shtyhen shpresat e dikujt për t’u shëruar e zgjatet pasiguria e pacientëve.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

