Së shpejti do të formohet një qendër emergjence me numër 112 e cila do t’u shërbejë qytetarëve për çfarëdo nevoje. Për polici, zjarrfikës ose ndihmë të shpejtë, pasi me sistemin Tetra të policisë, do të lidhen të tre shërbimet së bashku dhe varësisht nga nevoja e qytetarit i cili është paraqitur, do të mobilizohet ekipi i policisë, ndihmës së shpejtë ose brigadës së zjarrfikësve. Siç informoi ministri i brendshëm Oliver Spasovski gjatë inspektimit të këtij sistemi në SPB- Shkup, tashmë këto tre institucione do të kenë radio lidhje të vazhdueshme që mund t’u shërbejnë afro 6 mijë personave përnjëherësh.
Oliver Spasovski, ministër i brendshëm
“MPB ka qenë e përfshirë në implementimin e sistemit Tetra që prej fillimit. Nga vitit 2005, kur u përgatit studimi i fizibilitetit e deri më sot. Falë ndihmës së BE-së tashmë kemi një radio sistem digjital bashkëkohor. Këtë sistem duhet ta përdorin edhe shërbimet e tjera nga siguria publike siç janë ndihma e shpejtë dhe brigada e zjarrfikësve.
Spasovski tha se ky sistem është bllokuar qëllimisht ditën e 27 prillit edhe pse ka mundur të mbarojë shumë punë për mobilizimin e policisë. Megjithatë siguroi se policët që qëllimisht e kanë vënë jashtë funksionit këtë sistem tashmë janë në procedura disciplinore për përgjegjësi.
Bashkimi Evropian ka ndarë 20 milion euro për ndërtimin dhe modernizimin e këtij sistemi të komunikimit i cili përfshin 99 përqind të territorit të Maqedonisë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

