“Merkato politike e shatorit si duket ka filluar”. Disa zëra në opinion se kryetari i komunës së Gostivarit Valbon Limani dhe kryetari i Vrapçishtit, Isen Shabani, kuadro të ASH-së, mund të bëhen pjesë e VLEN-it, i ka komentuar sot bashkëkryetari i partisë VLEN, Bilall Kasami, i cili tha se ka bisedime, duke mos përmendur megjithatë emra. Ai ka shtuar se në ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete. Kasami këto lëvizje i sheh si dobësi e opozitës dhe përçarjes që ka në AKI.
BILALL KASAMI, BASHKËKRYETAR I VLEN-IT
“Sigurisht që në skenën politike ka zhvillime, ka lëvizje të tilla, veçanërisht këtu te ne, kur e dimë që opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare. Në këtë drejtim janë edhe bisedimet që zhvillohen dhe unë besoj se ditëve në vijim do të ketë edhe veprime konkrete”.
I mënjehershëm ka qen reagimi i të apostrofuarit më lartë, Valbon Limani, i cili i ka hedhur poshtë këto pretendime duke i cilësuar si spekulime.
VALBON LIMANI, KRYETAR I GOSTIVARIT
“Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike. Në të njëjtën kohë, vazhdojmë përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët, i cili do të mbahet së shpejti”.
Ai thotë se është i fokusuar më mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Gostivarit, realizimin e projekteve dhe shërbimin ndaj qytetarëve, larg spekulimeve mediatike që nuk kanë mbështetje në fakte.
Në të njejtën vijë qëndron edhe Isen Shabani. Ai ka shpërndarë një fotografi në rrjetet sociale me kryetarin e ASH-së, Arben Taravari, i cili ka shkruar “vazhdojmë”.
Ndërkaq, përveç këtyrëve paralajmërimeve nga Kasami, ai tha se ka bisedime edhe me kryetarin e Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, që të bëhen pjesë e qeverisë, por jo edhe për tu bërë pjesë e VLEN-it.
/SHENJA/



