Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel ka hapur sesionin e fundit të procesit të skriningut të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian. Kreu i Qeverisë theksoi angazhimin e kabinetit qeveritar për përmbushjen e kritereve të kërkuara.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Do të fokusohemi në harmonizimin e politikave tona tregtare me BE-në në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe do të vazhdojmë të zbatojmë rregullat e BE-së për kontrollet e eksporteve me përdorim të dyfishtë, kreditë e eksportit, investimet dhe instrumentet e mbrojtjes tregtare në kornizat tona kombëtare ligjore dhe institucionale”
Sipas Kovaçevskit, Maqedonia e Veriut ka shkallë shumë më të lartë të hapjes tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila ka arritur në 171% në vitin e kaluar, 2022.
Në këtë sesion është përfshirë kapitulli 30 që ka të bëjë me politikën e përbashkët tregtare në bazë të marrëveshjes shumëpalëshe. Ky kapitull përfshin gjithashtu rregullat e BE-së në fushën e ndihmës humanitare dhe politikat e zhvillimit. Ndërsa, kapitulli i 31 ka të bëjë me politikën ë përbashkët, e jashtme dhe sigurisë.
Me mbylljen e këtyre kapitujve do të përfundojë zyrtarisht procesi I skiningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili ka filluar në 15 shtator 2022 dhe ka vazhduar me sukses. Deri më tani janë zhvilluar takime shpjeguese dhe dypalëshe, për 33 kapitujt e ndarë në 6 klastere.
/SHENJA/