Partia që pritet ta drejtojë qeverinë e re, VMRO-DPMNE edhe sot ka konfirmuar qëndrueshmërinë e listës me 61 nënshkrime të deputetëve që reflektojnë shumicën e re parlamentare. Partia e drejtuar nga Hristian Mickoski thekson se bashkimi i partive për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga koalicioni LSDM-BDI është i palëkundur. Theksohet se opozita e deritashme do të formojë shumicë të re që të pasqyrojë kërkesat e qytetarëve dhe që është serioze për zbatimin e reformave.
VMRO-DPMNE
“Qytetarët kanë zgjedhur ndryshimin. Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, Lëvizja Besa dhe E Majta formuan shumicën për të rrëzuar qeverinë e Zaevit. Do të formohet një shumicë të re që duhet të pasqyrojë disponimin e qytetarëve dhe të zbatojë reformat e nevojshme. Nëse një qeveri e tillë nuk mund t’i garantojë këto gjëra, duhet të bëhen zgjedhje të parakohshme parlamentare”
Edhe Mickoski, vlerëson se shumica e re është “koalicion kundër krimit dhe korrupsionit”. Sipas tij, akuzat e LSDM-së dhe BDI-së ndaj koalicionit janë thjesht tentativë për të mbrojtur privilegjet dhe kolltuqet e pushtetit.
Që nga njoftimi për formimin e shumicës së re parlamentare, të premten në mbrëmje, portale të afërta me BDI-në dhe partitë në pushtet kanë nisur një fushatë të përhapjes së lajmeve për gjoja përçarjen e shumicës së re. Në shënjestër është sidomos partia Alternativa, për të cilën është spekuluar se nuk ka qëndrueshmëri në nëshkrimet e vendosura nga deputetët e saj në Kuvend. Por, një gjë e tillë është mohuar kategorikisht nga subjekti politik opozitar.
Edhe sot, deputetë të partisë kanë bërë publik qëndrimet e tyre, duke theksuar se mbështesin fuqimisht vendimin partiak për formimin e shumicës së re.
Fillimisht, deputeti Hysni Ismaili ka mohuar kategorikisht thashethemet në lidhje me nënshkrimin e tij për shumicen e re parlamentare.
HYSNI ISMAILI, DEPUTET, PARTIA ALTERNATIVA
“Nënshkrimi im qëndron aty derisa ta konfirmojnë ose ta tërheqin organet e partisë, duke nisur prej degës sime, deri te kryetari, Kryesia Qendrore e Kuvendi Qendror, si organi më i lartë i partisë sime ‘Alternativa’. Këtë vendim e kam marrë si detyrim politik, moral, njerëzor dhe demokratik ndaj votuesve dhe miqve”
Edhe deputetja tjetër e Alternativës, Safije Sadiki Shahini ka thënë se qëndron pas nënshkrimit të dhënë për të rrëzuar Qeverinë LSDM-BDI. Ajo thotë se mbetet e përkushtuar dhe i qëndron deri në fund vizionit të kryetarit të partisë, Afrim Gashi.
SAFIJE SADIKI SHAHINI, DEPUTETE, PARTIA ALTERNATIVA
“Në këtë kohë të spekulimeve dëshiroj të qartësoj se, si deputete e Alternativës, i mbetem besnike nënshkrimit tim për rrëzimin e kësaj qeverie. Do të mbetem e përkushtuar në vizionin e kryetarit Afrim Gashi dhe në vendimet e drejta të organeve lokale dhe qendrore të Alternativës”
Ndërkohë, Zoran Zaev ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit në Kuvend, të cilën e paralajmëroi më 31 tetor pas humbjes në zgjedhjet lokale. Hristian Mickoski deklaroi se deputetët e shumicës së re do ta rrëzojnë Zaevin nëse nuk largohet vullnetarisht. /SHENJA/