Pas informatave se inspektorë të Drejtorisë për të Ardhura Publike janë duke bërë kontrolle financiare në Shtëpinë Botuese “Logos- A” dhe disa shoqata humanitare të cilat kanë përkrahur hapur Lëvizjen BESA, ka reaguar shkrimtari Kim Mehmeti. Sipas tij, në këtë shtet ku politikanët akuzohen për krime të rënda, inspektorët financiar u janë vërsulur institucioneve të pakta kulturore e bamirëse që kanë shqiptarët e Maqedonisë. Kim Mehmeti shpreh dyshimet se mbase i gjithë ky aksion është i iniciuar nga drejtuesit e BDI-së, të cilët kështu duan t’i trembin e t’u hakmerren të gjithë atyre që nuk u nënshtrohen banditëve partiak të kësaj partie.
“Inspektorët financiar të DAP-it i janë vërsulur Shtëpisë Botuese ‘LOGOS-A’ si dhe disa shoqatave humanitare e kulturore që i drejtojnë disa miq të mi, si të ishin ato çerdhe hajdutësh, e jo institucione kulturore e bamirëse! Ja pra, në këtë Maqedoni, e cila shenjë njohëse ka korrupsionin e krimin dhe ku, politikanë e burrështetas, akuzohen për hajdutëri dhe plaçkitje të popullit, shteti mbrohet nga Shtëpia Botuese ‘Logos –A’!?” , ka shkruar Mehmeti.
Sipas shkrimtarit Mehmeti, ky “kontroll financiar” është veprimtaria e fundit tradhtare e drejtuesve të BDI-së.
Tabelë:
“Pra në këtë shtet ku inspektorët e policia nuk do duhej të dilnin nga selia disa milionëshe e VMRO-DPMNE’së dhe nga ajo e BDI’së, inspektorët financiar kontrollojnë ato pakë institucione kulturore e bamirëse që kanë shqiptarët e Maqedonisë?! Ku ta dish, ndoshta i tërë ky ‘kontroll financiare’ është veprimtaria e fundit ‘atdhetare e kombëtare’ e drejtuesve të BDI-së, të cilët në këtë mënyrë, duan t’u hakmerren të gjithë atyre që e përkrahën dhe që e përkrahin Lëvizjen BESA!”, thekson Mehmeti.
Ai thotë se banditët e BDI-së para vdekjes së tyre përpiqen të shkatërrojnë edhe ato pak institucione kulturore e bamirëse që na kanë mbetur.
“Pra, kjo mund të jetë hakmarrja e fundit ndaj neve që themi: e keqja e shqiptarëve të Maqedonisë janë banditët dhe hajdutët partiak të BDI’së, ata që shkatërruan thuajse çdo gjë të vlefshme që kishim ne si popull dhe të cilët tani, para ‘vdekjes’ së tyre politike, duan të shkatërrojnë edhe ato pakë institucion kulturore e bamirëse që na kanë mbetur!”, thuhet në reagimin e shkrimtarit Mehmeti.
Në Maqedoni, pushteti VMRO-BDI përdor edhe inspektiorët e Drejtorisë për të Ardhura Publike për tu bërë presion atyre që mendojnë ndryshe nga ata.
Anila Limani /SHENJA/
Kim Mehmeti: Hajdutët e BDI-së i vërsulen… by tvshenjaofficial