Ditë e re dhe akuza të reja ndërmjet partive politike. Secila parti kritikon tjetrën, kërkojnë llogari e fajësi. VMRO e akuzon kryetarin e LSDM-së se është bashkëpunëtor i autoriteteve bullgare.
Valentin Manasievski, VMRO
“Filipçe është bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i Bullgarisë në Maqedoni, nëpërmjet misioneve bullgare të Ministres Petrova Çamova. I dërguari special bullgar në Maqedoni, Venko Filipçe, është i vetmi që kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë pa garanci se ky është hapi i fundit drejt anëtarësimit në BE”.
Nga VLEN ankohen se rasti i Artan Grubit po zvarritet dhe ai ende nuk po përballet me epilog institucional. Partia në pushtet kërkon përgjigje dhe veprim. Sipas tyre rasti Grubi nuk guxon të përfundojë në sirtar.
VLEN
“Prandaj, pyetja që shtrohet vetvetiu është kush po e zvarrit këtë rast? Kush ka interes që Artan Grubi të heshtë? Kush po dridhet nga ajo që mund të tregojë arkiva e BDI-së? Në këtë rast nuk mund të anashkalohet as emri i Islam Abazit”.
BDI kërkon llogari për siç thonë heshtjen e drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama, se si siç thonëme pagën e një të punësuari në Komunën e Çairit, e më pas si këshilltar i Izet Mexhitit, ka arritur të krijojë kapital të madh financiar, në prona të paluajtshme dhe aktivitete biznesi.
BDI
“Përveç mungesës së përgjigjeve dhe transparencës, publiku deri më tani nuk ka parë asnjë sqarim për pasurinë për të cilën posedojmë prova. Përkundrazi, VLEN lëshon anketa të porositura për epërsi të rrejshme ndaj BDI-së”.
Nga LSDM thonë se ka 1 muaj që po pyesin përse ende nuk janë dërguar dokumentet për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit.
LSDM
“A i dërguan Hristijan Mickoski dhe Igor Filkov dokumentet e ekstradimit për Nikola Gruevskin? Pse po shmangin një pyetje kaq të thjeshtë, për të cilën qytetarët nuk kanë marrë përgjigje prej muajsh për kriminelin më të famshëm maqedonas? Ndoshta sepse Mickoski nuk dëshiron që Gruevski të kthehet, sepse e di se kjo do të kërcënonte drejtpërdrejt pozicionin e tij në VMRO”.
Përplasjet politike kohët e fundit janë intensifikuar dhe kanë të bëjnë me akuza për korrupsion, keqpërdorime të pozitës, ndikim politik në gjyqësor e tema të tjera.
Emine Ismaili /SHENJA/

