Ministria e Kulturës hedh kompetencat tek Komuna e Çairit, sa i takon problemit në Çarshinë e Vjetër, e cila është shndërruar në vend-parkim i veturave, për shkak të mungesës së një parkingu. Esnafët e Çarshisë ankohen se qarkullimi i veturave brenda saj shpesh shkakton kaos dhe ju pengon edhe dyqanxhinjve. Duke pasur parasysh faktin se Çarshia është monument historik, ne u drejtuam tek Ministria e Kulturës.
Por, nga kjo ministri bëjnë të ditur se kjo çështje nuk është nën kompetencat e tyre, por nën kompetenca të Komunës së Çairit.
“Çarshia e Vjetër është monument historik, por sa i takon problemit për çështjen e qarkullimit të veturave brenda saj, kjo çështje nuk është nën kompetenca tona. Për këtë duhet të drejtoheni tek Komuna e Çairit”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Ndërkaq, nga Komuna e Çairit, thonë që nuk mbajnë përgjegjësi për keqpërdorimin e shtyllave hidraulike, duke njoftuar se vetëm kush ka të drejtë autorizimi për përdorimin e vendparkimit në këtë zonë.
“Komuna e Çairit lidhur me çështjen e qarkullimit dhe parkimit të veturave në hapësirën e Çarshisë së Vjetër njofton opinionin se të autorizuar për përdorimin e sistemit të shtyllave hidraulike si mekanizëm preventiv për parandalimin e shfrytëzimit të kësaj zone si vendparkim janë: Organizata Esnaf, Shtëpia e Artizanateve, Stacioni Policor i Bit Pazarit, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë dhe Higjiena Komunale. Njoftojmë se nuk mbajmë përgjegjësi për keqpërdorimin e sistemit të shtyllave hidraulike”, thonë nga Komuna e Çairit.
Ndërsa, si masë për përmirësimin e kësaj gjendjeje Komuna e Çairit ka paraparë njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për shqyrtimin e situatës dhe identifikimin e keqpërdoruesve të autorizimit për menaxhim me sistemin e shtyllave hidraulike.
Në anën tjetër, esnafët e Çarshisë bëjnë apel për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e parkingut, për shkak se kjo gjendje ju shkakton pengesa të shumta.
Kaosi në Çarshi nuk shqetëson Komunën e Çairit… by tvshenjaofficial
Powered by WPeMatico