Vazhdon edhe më tutje fushata e partive politike për zgjedhjet e përsëritura lokale në Vrapçishtë, Gostivar, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë. Mbrëmë në Vrapçishtë është organizuar konventa promovuese e kandidatit Zulhajrat Demiri, i cili në këtë garë është futur i pavarur por ka mbështetje të koalicionit VLEN,
Para qytetarëve që kishin ardhur në këtë konventë, Demiri tha se aktualisht vendbanimet e kësaj komune vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm për shkak se, Isen Shabani nuk kujdeset për ta po merret me pazare. Tha se mandatin e kërkon nga populli dhe se të njëjtin do tia dorëzojë popullit kur ata të mendojnë se ai e ka gabim.
ZULHAJRAT DEMIRI, KANDIDAT PËR KRYETAR KOMUNE
“Ai na drejtohet duke na thënë individë, ndërsa ata individë janë ata të cilët i dhanë mandat për 8 vite dhe thotë se nuk ulem me kundërkandidatin, sepse është ‘personi në fjalë’ dhe i bëj të fala se ka përballë një ish mikun e tij që për bazë ka popullin dhe ky popull do na japë legjitmitetin, Unë këtë mandat e kërkoj nga ju dhe do ua dorëzoj juve sa herë që mendoni se nuk jemi të denjë ta ushtrojmë atë mandat”.
Ndonëse jo në konventë, por fushatën e ka vazhduar edhe Isen Shabani, i cili mbrëmë ka takuar banorët e fshatit Gradec po edhe banorët e fshatit Sanakos të Komunës së Vrapçishtit.
Pas takimeve, Shabani ka thënë se në këto takime sheh mbështetjen e jashtëzakonshme, energjinë që nuk ndalet dhe besimin e plotë në vizionin që ai e ka për Vrapçishtin.
ISEN SHABANI – KANDIDAT PËR KRYETAR KOMUNE
“Sanakosi na dha mbështetje të madhe dhe energji fituese. Faleminderit për mikpritjen dhe besimin. Mbështetje e jashtëzakonshme, energji që nuk ndalet dhe besim i plotë në vizionin tonë. Faleminderit rinia e fshatit Gradec. Së bashku drejt fitores së madhe”
Kujtojmë, zgjedhjet e përsëritura lokale të 11 janarit në komunat e lartë përmendura realizohen për shkak se në tetor të vitit që lam pas zgjedhjet e rregullta lokale dështuan për shkak të mos përmbushjes së cenzusit të nevojshëm.
Mevludin Imeri /SHENJA/


