Kryeparlamentari i ri, Talat Xhaferi, vizitën e tij të parë zyrtare e realizon në Bruksel. Me ftesë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, ka udhëtuar për në Bruksel, ku fillimisht është takuar me eurokomesarin, Johanes Han.
Në zyra e shërbimit e eurokomesarit kanë komunikuar se Han i përcjelli Xhaferit edhe njëherë qëndrimin e BE-sëse dënon fuqishëm sulmin ndaj deputetëve dhe gazetarëve në Kuvend javën e kaluar dhe se përsëritja e sulmit të tillë rrezikon seriozisht perspektivën evropiane të vendit.
Komesari Han ka bërë thirrje që tani fokusi të vendoset në hapin e ardhshëm të procesit të formimit të Qeverisë, duke respektuar shumicën dhe duke vepruar në linjë me parimet e Kushtetutës dhe demokracisë.
“Kuvendi duhet të lejohet të punoj pa pengesa. Gjithë deputetët, përfshirë edhe opozitën, pritet që të luajnë më tepër rol konstruktiv se sa sa obstruktiv dhe të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga qëndrimet dhe veprat provokuese. Kuvendi duhet të jetë forum për të debatuar sfidat serioze me të cilat ballafaqohet shteti dhe për të siguruar garancitë e nevojshme për të ec përpara, në interes të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve”, tha Johanes Han.
Ndërkohë, kryeparlamentari Xhaferi deklaroi se, takimi me Komesarin Han rikonfirmon edhe një herë mbështetjen e parezervë të BE-së për zgjedhjen e tij si kryetar Kuvendi.
“Gjithsesi se nuk ka asnjë dilemë nga Bashkimi Evropian për shumicën e reflektuar me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në Kuvendin e Maqedonisë dhe se kjo është shtytje për të vazhduar me punët me obligimet që i ka Kuvendi, që të zbatojmë gjitha programet dhe përcaktimet e punës së Parlamentit, që burojnë nga rregullorja dhe Kushtetuta e Maqedonisë”, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi.
Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, është paraparë që Xhaferi të realizojë takim edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogerini si dhe tre eurodeputetët, Kukan, Flekenshtajn dhe Vajgëll.

