Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski sot realizoi takim joformal me kryetarin e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare, por edhe me kryetarët e komisioneve parlamentare për mbikëqyrjen eshërbimet e sigurisë, në suaza të përgatitjeve për reformat në këto shërbime. Pas takimit, ministri Spasovski nënvizoi se afera me përgjimet krijoi krizë seriozepolitike, në të cilën u zbuluan shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai tha se me rëndësi është inkluziviteti në këtë proces.
Oliver Spasovski, MPB
“Për mua është shumë me rëndësi që të kemi inkluzivitet në këtë proces, ti kyçim të gjitha subjektet politike, para se gjithash, Parlamentin e Maqedonisë, për shkak se këtu në fund shprehet vullneti i qytetarëve dhe përmes një debati të hapur të vijmë deri në zgjidhjen dhe reformën më përkatëse e cila do të jetë efikase dhe do të krijojë mbrojtje të sistemit për ndjekjen e komunikimeve dhe mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Ministrit Spasovski, pas mbledhjes konstatoi se deputetët dhe Qeveria kanë qëllim të përbashkët, që ta mbrojnë Maqedoninë përmes shërbimeve të këtilla, por edhe të krijojnë sistem efikas të kontrollit. Ai shtoi se MPB deri në fund të vitit do të dalë me draft teks për ndjekjen e komunikimeve. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri tha se takimi është realizuar me kërkesë të ministrit Spasovski, i cili njëkohësisht është bartës i grupit inter-ministrial për proces reformues, i cili del nga Raporti i Pribes.
Talat Xhaferri, Kryetar i Kuvendit
“Ministri na informoi për hapat e ndërmarrë dhe për procesin deri ku ka arritur në kontekst të përgatitjes së teksteve ligjore për ndryshime apo për miratim të ligjeve të reja, në kontekst të zbatimit të ligjeve për përcjellje të komunikimeve dhe për përcjelljen e punës së Drejtorisë për siguri në MPB dhe Ministrinë e mbrojtjes dhe të gjitha institucionet tjera ku janë përfshirë me mbikëqyrje parlamentare. Na informoi me modelet e trajtuara që i kanë realizuar deri më tani, informoi për përcaktimet e mundshme për njërin nga modelet që i kanë trajtuar deri më tani, dhe ne si deputet, gjegjësisht si parlament i morëm informatat e para se deri ku është procesi.”
Nga VMRO-DPMNE, deputeti Ilija Dimovski tha se partia e tij është e gatshme të marrë pjesë në këtë proces, nëqoftëse Qeveria realisht e inkuadron opozitën në këtë proces. Dimovski tha se nëse qëllimi i qeverisë është që opozita të inkuadrohet vetëm formalisht, sapër tu parë nga ndërkombëtarët, atëherë do të harxhohet shumë energji për arritjen e zgjidhjes së përbashkët.
Mefail Ismaili /SHENJA/

