Analizat e ujit në Gostivar janë të gatshme, por jo edhe të qasshme për opinionin. Autoritetet shëndetësore dhe kompetente thirrën konferencë për të treguar se sa i suksesshëm ka qenë aksioni i tyre në ndërmarrjen e masave në Gostivar, por nuk e dhanë asnjë informacion për shkakun e sëmurjes së qytetarëve, edhe pse rezultatet i kanë në duar. Kjo sepse kanë urdhër nga prokuroria që rezultatet të ju dorëzohen atyre dhe në asnjë mënyrë të mos publikohen pa lejen e tyre. Nga Instituti i Shëndetit Publik dëgjuam shprehjen e famshme, “Në interes të hetimit”, rezultatet do i jepen vetëm prokurorisë.
Marija Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik
“Më potencohet vazhdimisht, rezultatet të ju dorëzohen vetëm Prokurorisë Publike. Ne si Institut kemi bërë gjithëçka në kohë rekord dhe tani presim që ato rezultate, me të gjitha provat e grumbulluara do të na çojnë deri te përgjegjësia e atij që duhet. Kërkoj të më kuptoni, sepse më kërkohet vazhdimisht që në interes të hetimit, rezultatet tani duhet të ju dorëzohen vetëm prokurorisë”.
Ministri i Shëndetësisë komentoi shkrimet nëpër media se epidemia në Gostivar është fshehur për disa ditë. Ai mohoi këtë gjë dhe foli për kronologjinë e ngjarjes, duke njoftuar se në Gostivar janë 3100 kontakte shëndetësore.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Momentalisht deri tani kemi 3100 kontakte shëndetësore, që don të thotë në Shtëpia e Shëndetit Publik Gostivar dhe në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar, këtu përfshihen lajmërime telefonike, intervenime në Ndihmën e Shpejtë, pranim dhe kontrolle të qytetarëve në të dyja intitucionet shëndetësore. Ditën e djeshme kishim gjithësej 564 pacientë, prej të cilëve në Spitalin e përgjithshëm 289, kurse në 275”.
Pasi Qeveria ka nisur sot me shpërndarjen e ujit të pijshëm në Gostivar, i cili aksion po realizohet nga Shërbimi Qeveritar për Punë të Përgjithshme dhe të përbashkëta, drejtori Tomovksi u pyet nëse 50 000 tonë ujë në ditë, a janë të nevojshme për nevojat e qytetarëve.
Ivica Tomovski, drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta
“Sot startojmë me 50 000 litra, varësisht nga nevoja. Gjatë ditëve në vijim nëse ka nevojë sasia do të rritet. Po, nuk përjashtohet mundësia që nëse paraqitet nevoja do të sigurohen edhe cisterna me ujë. Popullata të mos shqetësohen. Gjithëçka që është e nevojshme, ne si Qeveri do ta ndërmarrim”.
Rastet e para publike të helmimit të qytetarëve në Gostivar u publikuan në media të ejten. Arsyeja kryesore ende mbetet e pa thënë zyrtarisht, mirëpo Agjensia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar prijen e ujit nga ujësjellësi në Gostivar.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
MARKETING


