Në mbledhjen e rregullt të 146-të të Qeverisë së Republikës ës Maqedonisë së Veriut do të shqyrtohet Informata për fillimin e procedurës për vendosjen e partneritetit publik privat për rindërtimin e HEC “Glaznja” dhe HEC “Likovë”.
Në mbledhjen e sotme, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë do të shqyrtohet Propozim-ligji për Prokurorinë Publike, si dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministrat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të sjellin vendim edhe për Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në “Korpusin Evropian të solidaritetit”.
Ministria e Punëve të Jashtme si pikë të rendit të ditës në mbledhjen e sotme, propozon Propozim – ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për trafikun rrugor ndërkombëtar Tabanoc (Republika e Maqedonisë së Veriut) – Preshevë (Republika e Serbisë).
Me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë mbledhje vijon Informacioni lidhur me nevojën për implementim të procesit për kontroll (veting) të të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës në këtë mbledhje do ta prezantojë informatën për modernizimin e regjistrit të vetëm nacional elektronik të rregulloreve – ENER dhe futjen e formave të reja për përfshirje në procesin e krijimit të politikave.
Mbledhja e rregullt e 146-të e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është paraparë të fillojë në orën 12:00.


