Partive u duhet akoma kohë që të bisedojnë dhe të demonstrojnë pjekurine e tyre, çështja është kualiteti dhe jo shpejtësia sa i përket formimit të Qeverisë. Kështu porositi komisari evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Shkup.
“Me sa duket akoma do të duhet kohë, ata duhet të negociojnë dhe të marrin vendime në interes të vendit, për shkak të qytetarëve të saj, perspektivës Europiane dhe të fokusohen në punën konkrete për të ardhmen e vendit dhe perspektivës europiane, të mbështesin integrimet në Europë dhe BE do të bëjë gjithçka që ta ndihmojë vendin. Bëhet fjalë për kualitet dhe jo shpejtësi dhe ata duhet të bisedojnë ata duhet të demonstrojnë pjekurinë e tyre demokratike, të kenë program të shkëlqyeshëm të bazuar në Marrëveshjen e Përzhinos dhe përkushtim kah perspektiva evropiane. Unë jam gjithmonë optimist”, tha komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han.
Han, dje realizoi takime të ndara me të gjithë përfaqësuesit e partive politike të cilët kanë marrë mandate në zgjedhjet e fundit të parakohëshme parlamentare. Pas takimeve përfaqësuesit e partive politike u prononcuan për mediat, duke thënë se kanë pasur biseda konstruktive me komisarin Han.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, tha se partia e tij pret materiale nga Lidhja Social Demokrate që më pas të caktojë një mbledhje kryesia e BDI-së dhe të vendosë nëse do t’ia japin nënshkrimet e nevojshme për marrjen e mandatit. Ahmeti tha se BDI nuk i jep nënshkrimet LSDM-së, pa e pranuar ofertën në letër.
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev, tha se nuk është e drejtë që Ahmeti nuk ka kërkuar asgjë me shkrim nga Gruevski, ndërkaq një gjë të tillë e kërkon nga Lidhja Social Demokrate, por gjithsesi siç tha ai, për LSDM-në fjala është fjalë pavarësisht nëse ajo është thënë gojarisht ose me shkrim dhe se LSDM do ta bëjnë një gjë të tillë, pasi ata po bëjnë gjithçka që të marrin sa më shpejtë ta marrin mandatin.
Pas takimit me Hanin, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, tha se kishin bisedë konstruktive dhe se ky i fundit është këtu si përfaqësues i BE-së për të ndihmuar vendin që të dalë nga kriza politike dhe të formohet Qeveria e re. Gashi tha se Lëvizja BESA është e përgatitur që t’ia jep nënshkrimet LSDM-së, por se duhet më pas të bisedohet për formim të Qeverisë, pasi sipas tij ai është një process tjetër për të cilin kërkohen bisedime. Ndërkaq shtoi se asnjëherë nuk do ta mbështetnin një Qeveri ku do të bëjnë pjesë njerëz të inkriminuar.
Ndërkaq, kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela, tha se bashkërisht me komisarin Han, kanë biseduar rreth asaj se zgjedhjet e parakohëshme nuk janë opcion dhe nuk duhet asesi të ndodhin. Edhe ai tha se janë të gatshëm që t’ia japin nënshkrimet e nevojshme LSDM-së me qëllim që të fillojë një periudhë për formim të Qeverisë, por megjithatë ai tha se nuk mund të formohet Qeveri pa u pranuar platforma e përbashkët e partive shqiptare.
Menduh Thaçi i PDSH-së, nga ana tjetër tha se është i bindur se ekziston një marrëveshje politike mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dhe e njëjta nuk po publikohet, duke e cilësuar këtë si një sjellje jokorrekte ndaj qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. E ndërkaq i pyetur nga gazetarët se në cilën nga varientet për formim të Qeverisë PDSH e sheh veten, ai tha se një gjë të tillë do ta bënte vetëm nëse ai do zgjidhej kryeministër.
Takimi i fundit gjatë ditës së djeshme u realizua me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së. Nga VMRO nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar se në takim është biseduar për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Prokurorinë Publike Speciale, platformën e partive shqiptare dhe rreziqet e shfrytëzimit të kësaj platforme si mënyrë për rinegocimin e Marrëveshjes së Ohrit. Han gjatë vizitës së tij dyditore ka realizuar takim edhe me presidentin Ivanov dhe kryeministrin teknik Emil Dimitriev.
Ajnur Bafqari /SHENJA/