Gazetari dhe analisti politik, Hamdi Nuhiju, me 31.10.2019 mori pjesë në emisionin Pa Kufij, që transmetohet në Radio Shkupi, Radio Tirana dhe Radio Kosova, ku temë e diskutimit ishte Koncepti i Bashkimit Kombëtar të Albin Kurtit dhe perspektiva e këtij koncepti pas fitores së Vetëvendosjes në Kosovë.
Në mesin e temave të trajtuara, nga gazetari Memedali Jusufi në studion në Shkup, u parashtrua edhe tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen me 12 prill të vitit 2020 në Maqedoni.
Gazetari Hamdi Nuhiju u përgjigj se shqiptarëve të Maqedonisë i duhet një Albin Kurt që do të krijonte revolucion, por Albin Kurti nuk bën që të përzihet në këto zgjedhje siç u përzie në zgjedhjet presidenciale.
“Shikoni, në zgjedhjet presidenciale, Albin Kurti i ndihmonte një partie politike për të favorizuar një kandidat shqiptar për t`u zgjedhur president i Republikës së Maqedonisë Veriore. Në atë mënyrë, Albin Kurti, në thonjëza u përdor nga dy subjekte politike shqiptare për të rritur rejtingun si dhe për të krijuar një imazh pozitiv tek popullata se këto janë me një frymë revolucionare, me një frymë të Vetëvendosjes në Kosovë edhe në Maqedoni. Shqiptarëve të Maqedonisë i duhet një lloj i Albin Kurtit të veçantë, edhe pse fatkeqësisht ende nuk ekziston, ende nuk ka një të tillë, ndërsa ekziston një tendencë e hapur nga ana e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni për ta përdorur dhe keqpërdorur imazhin e figurës së Albin Kurtit dhe fitoren e Vetëvendosjes në Kosovë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen me 12 prill të vitit të ardhshëm.”, deklaroi Hamdi Nuhiju, transmeton Almakos.
Nuhiju vazhdoi mendimin se përfaqësuesit e partive politike shqiptar po tentojnë që ta kthejnë në dobi të tyre dhe ta përdorin në kampanjë fitoren e Albin Kurtit në zgjedhjet që do të mbahen me 12 prill. Si rezultat i kësaj janë realizuar disa takime dhe ka disa lëvizje që çojnë në atë drejtim.
“Në festimin e fitores së Vetëvendosjes në Prishtinë morën pjesë mesa di unë, përfaqësuesit e dy subjekteve politike shqiptare nga Maqedonia. Menjëherë pas festimit të fitores, pati një takim me përfaqësues të një subjekti tjetër politik shqiptar nga Maqedonia, ndërsa fitoren ua uruan të gjithë liderët politik shqiptar në Maqedoni. Ishte interesante një brifing informatë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse e pavërtetuar, se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përkrah asnjë subjekt politik shqiptar në Maqedoni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mendoj se kjo informatë duhet verifikuar dhe theksohet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe direkt nga ana e Albin Kurtit, me qëllim që të mos krijoje huti ose përçarje politike brenda shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”, deklaroi Hamdi Nuhiju.
Nuhiju vlerëson se për të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është që Albin Kurti të mbaje qëndrim neutral në raportin me partitë politike shqiptare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 12 prill të vitit 2020.
“Mendoj se Albin Kurti dhe Vetëvendosja duhet që të mbajnë një vijë zyrtare. Njëherë duhet që të kalojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pastaj të shikohet cilat subjekte politike shqiptare kanë fituar dhe me ato të mbaj kontaktin. Normal, atëherë zyrtarisht mban kontakte me ato që janë parti politike parlamentare, por mban kontakt edhe me parti tjera shqiptare jashtë parlamentare. Atëherë është më e qartë. Ndërsa tani, mendoj se uji ende më shumë turbullohet dhe në këtë mënyrë është një sjellje e papjekur në qoftëse do të ndodhte një ndërhyrje e tillë”, deklaroi Hamdi Nuhiju./Almakos/
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/3092997560727217/



