Qeveria e re, së bashku me opozitën, duhet të përqendrohet në zbatimin e Reformave urgjente prioritare dhe në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së Përzhinos, me qëllim që vendi të kthehet në rrugën drejt integrimit në BE. Kjo ishte porosia e komisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, para vizitës së tij të paralajmëruar për ditën e hënë në Shkup.
Siç njoftojnë nga Komisioni Europian, Han gjatë vizitës së tij në Shkup, do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, me përfaqësues tjerë të Qeverisë së re, dhe me liderët e partive politike. Në deklaratën e dhënë para ardhjes së tij në Maqedoni, Han theksoi se e viziton Maqedoninë që të nxisë zbatimin e reformave që Brukseli pret të zbatohen në afat të shpejtë, me qëllim të kthimit të vendit në rrugën e integrimit evropian.
“Me përkrahjen në kontinuitet të Bashkimit Evropian, vendi më në fund e tejkaloi krizën politike përmes zgjedhjeve të administruara mirë dhe formimit të qeverisë së re. Tani, Qeveria e re, së bashku me opozitën, duhet të përqendrohet në zbatimin e Prioriteteve urgjente reformuese dhe në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së Përzhinës, me qëllim që të kthehet vendi në rrugën drejt integrimit në BE”, ka thënë Johanes Han, Komisar për zgjerim dhe fqinjësi të mirë.
Han theksoi gjithashtu se Rajnhard Pribe dhe grupi i tij i ekspertëve do të ndihmojnë reformat dhe sundimin e së drejtës.
“Reformat duhet të bëhen që të përmirësohen jetët e njerëzve, të punohet për stabilitet, prosperitet dhe drejtësi. Grupi i obliguar i ekspertëve të lartë të pavarur për sundimin e së drejtës, i udhëhequr nga Rajnhard Pribe është veçmë në vend që t’i ndihmojë dhe ta këshillojë Qeverinë e re për çështje të sundimit sistematik të së drejtës” , ka deklaruar Johanes Han, Komisar për zgjerim dhe fqinjësi të mirë.
Në ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë është duke përgatitur Plan veprues me masa dhe aktivitete të cilat duhet të ndërmerren në kontekst të eurointegrimeve, dhe të cilat do t’i prezantohen eurokomisarit Johanes Han gjatë vizitës së tij në Shkup. Ndryshe, Qeveria dje mbajti të ashtuquajturat konsultime me sektorin joqeveritar dhe mediat, ku ishin propozuar pesë tema për grupet punuese të cilat do të japin kontributin drejt realizimit të reformave urgjente prioritare. Në Maqedoni tashmë është duke qëndruar edhe eksperti gjerman, ish-drejtor i Drejtorisë për zgjerimin e BE-së, Rajnhard Pribe, i cili ditëve në vijim do të ketë takim me përfaqësues qeveritarë për të diskutuar Reformat urgjente prioritare.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Hahn: Vij për t’ju ndihmuar by tvshenjaofficial

