Gjysma e qytetarëve vlerësojnë se sistemi gjyqësor në Maqedoni nuk është i gatshëm për të hyrë në BE. Këto janë rezultatet e hulumtimit me titull, ”Gjyqësori, të drejtat themelore të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit”, e cila u prezantua sot. Sipas të njëjtit hulumtim 80 % e të anketuarve vlerësojnë se gjyqësori është temë e rëndësishme për qasje në BE dhe njëkohësisht 65% e tyre vlerësojnë se organizatat qytetare duhet që nëpërmjet propozimeve dhe debateve të çojnë kah reformat për qasje në BE.
“50 % e qytetarëve vlerësojnë se sistemi ynë gjyqësor nuk është i gatshëm për hyrje në BE, pra kemi, sigurisht një fotografi reale. Gjithashtu, vlerësojnë se është edhe prioritet edhe për reformat e mëtutjeshme të Qeverisë për në BE. Që do të thotë, se ka hapësirë për punë dhe duhet të punohet për përmirësim”, ka thënë Simonina Kacarska, drejtoreshë e institutit për politikë europiane dhe e projektit 23 plus.
Ndërkaq, sa u përket të drejtave të njeriut, Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit, thotë se mendimi i qytetarëve të anketuar është i ndarë. Sipas hulumtimit, 34% e të anketuarve vlerësojnë se gjendja është e keqe, 30% mendojnë se është e mirë. Pirovska, vlerëson se ka dallime sipas moshës së njerëzve, gjegjësisht qytetarët më të rinj, deri në 40 vjet, vlerësojnë se gjendja në raport me të drejtat e njeriut është e favorshme, derisa ata mbi 60 vjet vlerësojnë se ajo është e keqe.
“Të drejtat të cilat thonë se më së shumti shkelen janë, e drejta e punësimit, të drejtat e mbrojtjes shëndetësore. Kur flas për të drejtën e punësimit, para se gjithash flas për qasje në punësim, e cila korrespondon me atë që ne në komitetin e Helsinkit e kemi si të dhënë, se ekziston nivel i lartë I diskriminimit politik, kur bëhet fjalë për të drejtën, respektivisht qasje të barabartë tek punësimi. Për mbrojtjen shëndetësore mendoj se nuk duhet të flas, nëse kemi parasysh se për çka kemi qenë dëshmitarë vitet e fundit, sa ngjarje fatkeqësie në të cilat njerëzit i kanë humbur jetët e tyre, këtu do ta përmend Tamarën e vogël”, ka thënë Urania Pirovska, Komiteti i Helsinkit.
Hulumtimi i mendimit i cili u prezantua sot, është zbatuar në kuadër të projektit “Rrjeti 23 plus”, e financuar nga ana e BE-së, në korniza të programit të tyre për mbështetje të shoqërisë qytetare.
Gjyqësori nuk është i gatshëm për të hyrë në BE by tvshenjaofficial