Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka dorëzuar në Gjykatën e Strugës propozim për caktimin e masës së sigurimit për kryetarin e Strugës, Ramiz Merkon, përkatësisht konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit dhe të tjera për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrimin për t’u paraqitur herë pas here në gjykatë. Siç njoftojnë nga Prokuroria, masat u kërkuan për shkak të rrezikut për arratisje, duke pasur parasysh se gjatë ditës së djeshme SHPK Strugë ka ngritur një kallëzim tjetër kundër të njëjtit person.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE E STRUGËS
“Prokurori publik kompetent pas kryerjes së procedurës paraprake ka paraqitur aktakuzë për shkak se i pandehuri si kryetar i Komunës së Strugës në mars të këtij viti ka vendosur një shenjë përkujtimore-pllakë në hyrje të ndërtesës së komunës, me të cilën ai ka nxitur urrejtje etnike dhe përçarje ndërmjet banorëve të Strugës, me çka ka kryer vepër penale nga neni 27 i Ligjit për Memorialet monumenteve dhe memorialeve”.
Me aktakuzën e fundit, në gjykatat themelore në Strugë dhe Manastir kundër të akuzuarit do të zhvillohen gjithsej nëntë procedura aktive gjyqësore.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE E STRUGËS
“Duke pasur parasysh se i akuzuari është zyrtar publik afatgjatë, ndaj të cilit Prokuroria Publike e Strugës në një periudhë të shkurtër kohore gjatë këtij viti ka ngritur disa kallëzime dhe tashmë është duke zhvilluar tetë procedura gjyqësore për veprat penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar si dhe Keqpërdorim në shërbim, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se ekziston real rreziku që i akuzuari të përpiqet t’i shmanget ndjekjes penale”.
Ndërkaq, Gjykata Themelore e Strugës e ka pranuar propozimin e prokurorisë dhe ka marrë aktvendim me të cilin të pandehurit ia ka konfiskuar pasaportën dhe e ka obliguar që një herë në javë të paraqitet në gjykatë.
Samir Mustafa /SHENJA/