Kreu i Lidhjes Socialdemokrate Venko Filipçe ka kërkuar që qytetarët të mobilizohen dhe ta ngrenë zërin kundër marrëveshjes eventuale për pranim të migrantëve të bërë nga Qeveria. Në konferencën e sotme kreu i opozitës ka paraljmëruar peticion online kundër kësaj marrëveshje dhe ka deklaruar se do të marrin edhe masa tjera nëse kjo nuk është e mjaftueshme.
VENKO FILIPÇE – KRYETAR I LSDM-SË
“Pas peticionit online, do të pasojnë hapa të tjerë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të na ndihmojnë të ruajmë qytetërimin, sigurinë dhe të ardhmen e Maqedonisë. Nëse qeveria e injoron këtë hap, do të pasojnë hapa të tjerë më të fortë. Vendi ynë është në Bashkimin Evropian, jo në periferi, si një pikë e zezë. Do të ketë mobilizim të fortë, aktivitet në çdo nivel, në çdo komunë, në çdo qytet, në çdo fshat. Nuk do të lejojmë që emigrantët të vijnë këtu me asnjë çmim”.
Ai theksoi se LSDM-ja e njoftoi rrezikun që vendin e pret me migrantët dhe negociatat, bisedimet dhe marrëveshjet e fshehta të qeverisë së VMRO-DPMNE-së disa muaj më parë.
VENKO FILIPÇE – KRYETAR I LSDM-SË
“Kur i përmendëm për herë të parë këto negociata dhe biseda të fshehta, dhe kjo u konfirmua në shkrimet në mediat e huaja, të ashtuquajturit patriotë nga VMRO-DPMNE menjëherë u hodhën kundër nesh. Ata filluan me njoftime se kinse ne po gënjenim, pastaj sajuan një fushatë të tërë kundër meje personalisht, kundër funksionarëve të tjerë aktualë dhe të mëparshëm të partisë. Kur kjo nuk funksionoi për ta, në periudhën pasuese, ata vetëm sa e intensifikuan atë fushatë”
Ai deklaroi se është e papranueshme që qytetarët e Maqedonisë, në vend të Qeverisë, i kanë mësuar informacionet nga mediat britanike, të cilat, siç tha ai, dolën me informacione të detajuara. Statistikat evropiane, shtoi Filipçe, tregojnë se politikat e zbatuara dobët për integrimin e migrantëve shkaktojnë probleme të mëdha në vende dhe shoqëri të ndryshme.
Mevludin Imeri /SHENJA/


