Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave ka mbajtur sot një konferencë për të shqyrtuar versionin e ligjeve që synojnë kthimin e të drejtës së mohuar, ku parashihet edhe ripërsëritja e proceseve të cilat ky komitet i konsideron si politike dhe të montuara.
Megjithatë, profesori universitar Lubomir Fërçkovski, që ishte njëri prej panelistëve, tha se bëhet fjalë për një numër të madh të rasteve, andaj sugjeron që procesi të mos ngatërrohet e të komprometohet në procedura të cilat më pas nuk do të mund të jenë të realizueshme dhe me këtë.
LUBOMIR FËRÇKOVSKI, PROFESOR UNIVERSITAR
“I tërë fokusi është tani, çfarë ligji do të bëjmë, që do të ndajë drejtësinë, ku do të bëjnë pjesë një pjesë e rasteve kyçe ku drejtësia është shkelur, e të mos e rrënojmë procesin me disa ambicie të cilat janë të parealizueshme. Kjo është një debat edhe rreth ligjeve, edhe rreth procedurave”.
Profesoresha Besa Arifi, strategjinë për reformë të gjyqësorit e ndërlidhi edhe me raportin e fundit të Pribesë, duke thënë se edhe në këtë raport janë dhënë sugjerime konkrete për reforma në gjyqësor.
BESA ARIFI, PROFESORESHË UNIVERSITARE
“Gjithashtu përcakton që nuk duhet të përshpejtohet dhe nuk duhet të zëvendësohet njëra formë e shtetit të kapur me një formë tjetër të shtetit të kapur. Kërkon edhe një herë që të vendoset përgjëgjësi për gjykatësit, prokurorët publik dhe për nëpunësit tjerë shtetëror të cilët kanë kryer vepra penale”.
Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave angazhohet për rishikimin e proceseve në të cilat janë shkelur procedurat, duke shfrytëzuar ligjet ekzistuese, por edhe duke propozuar ligje të reja. Pjesë e këtij komiteti janë përfaqësues të shumë rasteve të dyshimta, përfshirë këtu rastet “Spiuni”, “Likuidimi”, “Detonator”, “Monstra” dhe “Sopoti”.
Abdulla Berisha /SHENJA/

