Vetëm tre ditë përpara zgjedhjeve dhe derisa partitë shpalosin platforma të mbushura me premtime të shumta, nga ana tjetër janë shumë qytetarë të cilët ndjehen të harruar prej vitesh nga pushteti. Televizioni SHENJA, këtë herë ju sjell hallet e qytetarëve me të cilat janë përballur ata për një kohë të gjatë. SHENJA ju rikujton gjithashtu se Shkupi thuajse në të gjitha aspektet është me dy fytyra kur bëhet fjalë për dallimet që ky pushtet i ka bërë gjatë ndarjes së buxhetit, ku pjesa më e madhe e mjeteve ka shkuar nëpër vendet e banuara me maqedonas. Ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen vendbanimet shqiptare, është paralizimi i rrugëve nëse ka reshje të shiut.
Kështu duken lagjet e Gazi Babës, Serovës dhe Dizhonit, pas vetëm 15 minuta reshje të shiut. Rrugë të stërmbushura me ujë, madje ujë që përfundon edhe nëpër katet përdhesë të shtëpive të këtyre banorëve, si dhe një mllef i banorëve, të cilët gjatë gjithë kohës fajsojnë autoritetet kompetente, të cilët nuk marrin masa për përmirësimin e situatës.
“Kjo ndodh vetëm tek ne myslimanët dhe shqiptarët. Shko tek maqedonasit, as vërshime nuk kanë as asgjë nuk kanë. Vetëm tek neve ndodh kjo. Pastaj vraponi pas neve, për çfarë të vrapojmë”, pati thënë një nga banorët e Çairit.
“Është një punë, që unë shembull i kam 34 vjet, për 30 vite e mbaj mend ky problem është vazhdimisht. Vijnë e grumbullojnë e hedhin këtu, përsëri bie shi bëhet njëjtë, ngase shiu i tërë GaziBabës grumbullohet këtu poshtë, patjetër duhet të bëhet një zgjidhje”, tha një banor tjetër.
Ndërsa, kështu duket një pjesë tjetër e qytetit, po ashtu pas një dite ku kishte vërshime të shumta. Gjithçka duket shumë normale, as një gjurmë nga vërshimet e ditës paraprake, duket sikur nuk bëhet fjalë për lagje nga qyteti i Shkupit. Për lagjen Aerodrom, shiu mund të sjell vetëm freski, derisa për lagjet shqiptare, vetëm frikë nga vërshimet.
Baltë, ujë, dhe infrastrukturë të shkatërruar i sfidojnë edhe banorët e lagjes Vizbeg. Banorët e kësaj lagjeje ndihen të harruar nga autoritetet kompetente dhe shumë të zhgënjyer nga partia shqiptare në pushtet. Ata thonë se disa vite me radhë kanë marrë premtime se do të ndërmirren masa, megjithatë ato asnjëherë nuk janë shndërruar në vepra.
“Na më mirë kemi qenë kur ka qenë Jugosllavia, kur ka qenë Milloshi, se sot që janë BDI-ja dhe PDSH-ja. Nuk di çfarëtë them, se shumë jam i ofenduar nga këto partitë tona, nuk mendoj që merr ndokush masa. Ai që vjen këtu me na pa se ku jemi dhe në çfarë halli jemi”, tha njëri nga banorët.
E ndërkaq, nga pamundësia që t’u sjellim të gjitha ankesat në një kronikë të vetme, në vazhdim ju sjellim vetëm pamje ku mund dukshëm të vërehet dallimi i vendbanimeve shqiptare nga ato maqedonase.
E njejta gjë vërehet edhe me parqet, ku derisa në komunën e Aerodromit planifikohet parku më i madh i qytetit të Shkupit, ku mes tjerash do të jetë i pasuruar me shumë lloje të kafshëve si, kitra, poni dhe breshka ndërsa nuk do të mungojnë as majmunët, të cilët do të vendosen në një kafaz të madh, ku vizitorët mund të shkojnë dhe të argëtohen me ta. Mungesë parqesh në pjesën tjetër të qytetetit, të banuar me shqiptarë. Por këto dallime nuk përfundojnë këtu, banorët shqiptarë ballafaqohen edhe me mungesën e mirëmbajtjes së vendit, ku dukshëm vërehet papastërtia.
Ajnur Bafqari /SHENJA/