Në pjesën e dhënies së licencave, sipas Ligjit për Veprimtarinë Hotelierike, për të funksionuar si klub nate, kabare, disko-klub apo disko-klub në hapësirë të hapur, është e detyrueshme të posedohet licencë valide. Këtë licencë e lëshon Ministria e Ekonomisë dhe Punës, kështu ka bërë të ditur ministri I ekonomisë dhe punës Besar Durmishi duke theksuar se pas saj Ministria në fjalë nuk është kompetente dhe nuk ka mekanizëm për të kryer inspektim, mbikëqyrje apo kontroll në objektin ku do të ushtrohet veprimtaria. Ai njoftoi se në mbledhjen e qeverisë të mbajtur më 18 mars, Ministria e Ekonomisë dhe Punës u ngarkua të fillojë përgatitjet për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Veprimtarinë Hoteliere.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Këto ndryshime do të mundësojnë që verifikimi i kushteve minimale teknike për punë të kryhet përpara lëshimit të licencës për punë. Me këtë, Aplikacioni për përmbushjen e kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë hoteliere, para se të dorëzohet si dokument shoqërues në kërkesën për licencë, do të duhet të ketë konfirmim për vërtetësinë e tij nga Inspektorati Shtetëror i Tregut”.
I pyetur se sa licenca kabareje janë dhënë gjatë mandatit të tij, Durmishi tha se nuk e di numrin e saktë por theksoi se nga viti I kaluar në arkivat e Ministrisë janë gjithsej 24 licenca aktive të lëshuara, 18 prej të cilave janë për kabare dhe të tjerat për klube. Për ata që nuk kanë licencë dhe punojnë, ai ka theksuar se ka organe të tjera kompetente që duhet t’i inspektojnë dhe t’i ndëshkojnë në përputhje me rrethanat. Ai theksoi se zgjidhja e re ligjore do të rrisë vlerën e gjobave për të parandaluar ngjarje të pakëndshme si ajo në Koçan dhe tha se tashmë është duke punuar një grup punues për të.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/