Numri më i madh i pacientëve të prekur nga kanceri janë duhanpirësit, thekson mjeku Igorçe Xhikovski. Në një prononcim për TV Shenja, ai shpjegon se pirja e duhanit në përditshmëri ndikon drejtpërdrejt në rritjen e rasteve me sëmundje malinje.
Sipas tij, është në rritje edhe numri i pacientëve të diagnostikuar me kancer në mushkëri, i cili arrin rreth 600 deri në 700 raste të reja brenda një viti.
IGORÇE XHIKOVSKI, MJEK
Numri më i madhë i tyre janë në fazë të avancuar që nënkupton se janë në gjendje të paoperushme. Tek ata nuk mund të kryhet ndërhyrje kirurgjikale, nëse flasim me përqindje, nga ata 20% janë të operueshëm. Ne në vit operojmë rreth 150 pacientë me kancer në mushkëritë e bardha. E rëndësishme është që për çdo vit numri është në rritje dhe ne jemi duke u përballur me numër të madhë të pacientëve, sikurse ne edhe klinika pulmologjike.
Sipas Xhikovskit, nuk ekziston nivel i sigurt i konsumimit të duhanit, ndaj alternativa më e mirë sipas tij, është që ai të shmanget plotësisht.
Mjeku thotë se me shmangjen e duhanit, në mënyrë automatike do të ulej edhe përqindja e pacientëve të prekur nga sëmundjet malinje apo atyre kardiologjike, prandaj thotë se është koha që të miratohet ligji për mbrojtje nga duhani.
IGORÇE XHIKOVSKI, MJEK
Gjithnjë është shikuar interesi i duhanpirësve, mendoj se është koha që shëndeti të vendoset në rend të parë dhe interesi i atyre që nuk pijnë duhan. Jo gjithmonë në plan të parë të jenë duhanpirësit.
Ndryshe, ligji për mbrojtje nga duhani i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, mbetet në procedurë qeveritare dhe pas miratimit, i njëjti do të kalojë në procedurë parlamentare. Me këtë ligj, pritet ndalimi i pirjes së duhanit në hapsira publike, në stacionet e autobusit, në afërsi të hapsirave të hapura pranë spitaleve po edhe në prani të fëmijëve në vetura.
Mevludin Imeri /SHENJA/


