Profesorë nga katedra e filozofisë në Shkup, kanë drejtuar kritika rreth gjendjes së arsimit të lartë në vend dhe mosangazhimit të shtetit në këtë fushë të rëndësishme. Udhëheqësi i Institutit Filozofik pranë universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, Ivan Xheparovski, gjatë një konference kushtuar ditës botërore të filozofisë, tha se rëndësia e arsimit dhe shkencës është vlerësuar më shumë në vitet e mëhershme kur Maqedonia ka qenë më e varfër se sa tani. Xheparovski theksoi se të gjitha qeveritë në fillim të mandateve të tyre premtojnë rritjen e mjeteve për shkencë. Por, në fund të mandatit gjendja mbetet e njëjtë.
Ivan Xheparovski, Instituti i Filozofisë
“Arsyeja kyçe për gjendje e dobët është ndarja minimale prej 0.2% për shkencë dhe në financimin shumëvjeçar të ulët dhe të parëndësishëm në të gjitha domenet e shkencës dhe prej aty në shkencat humanitare dhe shoqërore. Kjo shihet edhe në buxhetin e propozuar për vitin 2018, ku vetëm arsimi i lartë nuk mund të llogarit në rritjen e paralajmëruar të pagave të propozuar për segmentet e tjera të arsimit. Si do të motivohet dhe stimulohet në këtë mënyrë kreativiteti i shkencëtarëve të rinj dhe si do të krijohet potencial i ri shkencor, përkatësisht do të ndalohet largimi i tyre në vendet e huaja, për mua mbetet pyetja për të cilën nuk shoh përgjigje”.
Ndërkohë, profesori universitar, Ferid Muhiq, duke folur për rëndësinë e dijes, tha se filozofia është arkitekt i botës ekzistuese, është disenjator edhe i kësaj bote por edhe i ardhmërisë.
Ferid Muhiq, Profesor
“Filozofia, përkrah asaj që është dashuria për dijen, është diçka që e bën jetën e njëriut të vlefshme për ta jetuar dhe absolutisht mos u shqetësoni deri atëherë kur nuk shuhet zjarri filozofik tek ju. Le të dridhet, le të zvogëlohet vetëmo mos të shuhet. Një grimcë e asaj drite është më e rëndësishme se të gjitha reflektorët e politikës dhe gjithë atyre dritave glamuroze që tenton të ndriqoj errësirën të kësaj lugine të lotëve që e quajmë botë dhe kjo alegori që e quajmë jetë”.
Dita botërore e filozofisë në Maqedoni shënohet për të 14-tën herë me radhë. Këtë vit, simpoziumi dyditor i organizuar me këtë rast trajton temën “Filozofia dhe paqja” ku marrin pjesë profesor të njohur universitar nga vendi dhe jashtë.
Teuta Buçi /SHENJA/

