Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka takuar sot sërish homologun e tij grek, Nikos Kocias. Takimi i sotëm ka ndodhur në kuadër të takimit kuartal që po mbahet në Selanik të Greqisë. Zyrtarisht është komunikuar se në këtë takim, dy ministrat kësaj radhe kanë diskutuar për ardhmërinë e rajonit, hapat që duhet të ndërmerren për krijimin e vizionit pozitiv për atë ardhmëri, përforcimin e bashkëpunimit mes organizatave të shoqërive civile të dy vendeve, si dhe institucioneve akademike. Dimitrov po ashtu është takuar edhe me perfektin e Selanikut, Janis Butaris, me të cilin ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimin ndërkufitar në nivel të ministrive të jashtme.
Në këtë takim po marrin pjesë Ministrat e Jashtëm, të Brendshëm dhe të Energjisë të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin në fushën e sigurisë, menaxhimit të kufijve dhe energjisë. Siç theksohet, në mbledhje diskutohet për sigurinë, bashkëpunimin tejkufitar, zjarret pyjore dhe energjinë. Ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias, në fjalën e tij gjatë hapjes së mbledhjes, theksoi se bashkëpunimi në fushën e energjisë është shumë i rëndësishëm për arsye se rajoni gjendet mbi ‘rutën e gazsjellësve’.
“Ballkani është rajon i cili premton shumë në raport me zhvillimin e energjetikës, në kuptimin e ndërtimin të gazsjellësve dhe projekteve tjera, për çka është i nevojshëm përforcimi i bashkëpunimit mes vendeve nga rajonit, ndërsa para së gjithash të katër vendeve pjesëmarrëse në takimine sotëm kuartal në Selanik, IRJM-së, Greqisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë”, ka thënë Niko Kocias, ministër i Jashtëm i Greqisë.
Kjo është hera e dytë e organizimit të një takimi të këtillë. Ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të katër shteteve ishin takuar në prill të vitit 2016 po ashtu në Selanik, me iniciativë të Kociasit.
Teuta Buçi

