Personat e maskuar dhe të dhunshëm, që thyen gjithëçka dhe sulmuan deputetët në vitin 2017 në Kuvend, për kryeministrin Hristijan Mickoskin, nuk janë terrorist. Mickoski thotë se ata kanë bërë gabime, por nuk kanë kryer terrorizëm. Por, për këtë ai kërkon që të japin përgjegjësi ata që siç thotë ai e kanë montuar politikisht këtë proces.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ndoshta për këtë më mirë është të japin përgjigje të gjithë ata që kanë bërë presion që përmes një procesi të montuar politikisht, njerëzit vuajnë burg tashmë 7-8 vite për terrorizëm. Asnjëri nga ato nuk thotë se nuk ka bërë gabim, ka bërë, por në asnjë mënyrë nuk janë terroristë. Tashmë kur është e qartë se nuk ka organiztor, nuk e di si mund të ketë terroristë”.
Pasi një ditë më parë u liruan organizatorët e “27 prillit”, Mickoski mendon se edhe personat tjerë që janë të denuar, kanë vuajtur mjaftueshëm burg.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ata persona kanë kaluar mjaftueshëm kohë në burg për gabimin që e kanë bërë dhe tani duhet ata që kanë udhëhequr proces të montuar politik, ta vendosin gishtin në kokë dhe të mendojnë çfarë të bëjnë dhe çfarë kanë bërë”.
Ish funksionarët e VMRO-së, kryeparlamentari Trajko Veljanovski, ministrat Spiro Ristevski, Mile Janakieski, dhe shefi I shërbimeve të sigurisë Vladimir Atanasovski, që ishin të akuzuar si organizatorë të ngjarjeve të përgjakshme që ndodhën më 27 prill 2017, një ditë më parë u liruan plotësisht. Gjykatësi tha se ky nuk është vendim i tij, por kështu kërkon prokuroria, bazuar në Ligjin për Amnisti.
Emine Ismaili /SHENJA/