Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu,ka iniciuar propozim për shkarkimin e Mitko Çavkovit nga funksioni i Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike. Kjo pasi ai vlerëson se një pjesë e strukturave të MPB-së, i kanë shkaktuar shumë dëme vendit si dhe vlerave demokratike, gjatë ngjarjeve që ndodhën në Kuvend javën e kaluar. Në konferencë për mediat, Nuhiu njoftoi poashtu se këshilltarin shtetëror në Byronë për Siguri Publike, Goranço Savovski, e ka emëruar koordinator të Shtabit Operativ. Ndërkaq, u bëri thirrje të gjithë të punësuarve në MPB që të kyçen në mënyrë aktive në përgatitjen e materialeve zyrtare për ngjarjet e ndodhura në Kuvend, duke shtuar se e gjithë ngjarja duhet të zbardhet deri në fund, dhe secili të përgjigjet për veprimet e tija.
“Dëshiroj të informoj opinionin se kam formuar grup punues të përbërë nga profesionistë në MPB, i cili ka për detyrë të vërtetojë a kanë vepruar në pajtim me procedurat e përcaktuara Shtabi Operativ dhe njësitë organizative në MPB, a janë bërë lëshime gjatë punës, tejkalime të kompetencave ose moskryerja e detyrave dhe obligimeve. Konkluzionet e raportit të grupit punues do të jenë pjesë e parashtresave deri tek Prokuroria Publike për veprimet e mëtejshme për punën e Shtabit Operativ”, tha ministri Nuhiu.
Në konferencën për media, nuk u lejuan pyetje të gazetarëve, ndërkohë që u shpërnda një komunikatë për mediat, lidhur me aktivitete për zbardhjen e ngjarjëeve të 27 prillit.
“Mbrëmë më 02.05 janë arrestuar edhe tre persona V.N (45), D.P(33) dhe V.C(33) të gjithë nga Shkupi. Të cilët dyshohen se kanë kryer vepër penale ‘pjesmarrje në turmë njerëzish që do të pengojnë personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’ sipas nenit 384 tëKP i RM-së. Nga ana e gjyqtarit në procedurë paraprake personit V.N I shqiptohet masa e paraburgimit prej 8 ditëve. Gjithashtu mbrëmë, në SP Kisella Vodë, vet është paraqitur edhe V.T(40), I dyshuar për veprën penale ‘pjesëmarrje në turmë njerëzish që do të kryejë vepër penale’, sipas nenit 385 nga KP i RM-së”, thanë nga MPB.
Nga MPB informojnë, se për momentin në fuqi janë 8 urdhërarreste, për të cilat policia po gjurmon. Ndërkohë që deri më tani janë arrestuar 12 persona, gjashtë prej tyre u është shqiptuar masë paraburgimi prej tetë ditëve, për një person masa arrest shtëpiak, për dy persona masa e përkujdesisë. Sektori për punë të brendshme në koordinim me Prokurorinë Themelore, deri më tani kanë parashtruar fletparaqitje penale për 20 persona të identifikuar si pjesëmarrës në trazirat në Kuvend, si bazë për kryerjen e veprave të lartpërmendura.
Dhuna në Kuvend, ministri Nuhiu formon grup punues by tvshenjaofficial

