Deputeti i Frontit Europian, Salih Murat, thotë se Maqedonia e Veriut, do të hyjë në një krizë më të thellë politike dhe për këtë arsye, ata si koalicion kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, që mbahen bashkë me ato lokale. Sa i përket zgjedhjeve lokale, Murat tha se Fronti Europian do të garojë me kandidatë të përbashkët për kryetar komunash dhe me lista të përbashkëta për këshilltarë komunal, duke shtuar se Fronti është i hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, ndërsa tha se ndodhitë e fundit në VLEN kanë dëshmuar se ky koalicion nuk e ka legjitimitetin.
SALIH MURAT, DEPUTET I FRONTIT EUROPIAN
“Kështu, ne jemi të hapur, siç thonë liderët tanë, për bashkëpunim me të gjitha subjektet në shtetin tonë, me ndodhitë në koalicionin VLEN, u dëshmua që ata nuk kanë legjitimitet. Ne që thirremi në legjitimitet, jemi fitues edhe në zgjedhjet presidenciale, edhe në zgjedhjet parlamentare, kishim 6 deputetë më tepër. Ata vendosën koalicion mes mjeshtrit dhe çirakut, kështu duket, sepse ata e dinë…ja edhe vetë Arben Taravari e pranoi se 70% të votuesve nuk kanë besim tek ata, se nuk vlerësohen në radhët e koalicionit, Maqedonia për mua, me këtë do të shkojë në krizë politike dhe ne thërrasim, ja në zgjedhje të parakohshme, ta shohim kush do të jetë fronti i sinqertë”.
Ndërkaq, pas zërave në opinion se ka tendencë që disa deputetë të opozitës t’iu bashkohen shumicës qeverisës, Murat tha se ai është deputet i Frontit Europian dhe nuk janë të interesuar që me çdo kusht të jenë në Qeveri.
Kujtojmë se situata politike në vend është lëkundur, pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari është larguar nga koalicioni VLEN, ndërsa edhe pse të hënën u takuan kryeminsitri, Hristijan Mickoski dhe Arben Taravari, ende nuk është e ditur se a ASH a do të vazhdojë të mbetet në Qeveri apo do të largohet.
Samir Mustafa /SHENJA/