Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive ka vazhduar sot me shqyrtimin e amandamenteve të opozitës shqiptare, sa i përket propozim ligjit për përfaqësim të drejtë. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari ka propozuar sot amandamentin e radhës, me të cilin ka kërkuar që, në çdo punësim në një organ publik vendet e lira të punës të shpërndahen proporcionalisht midis komuniteteve. Sipas këtij propozimi, kandidatët konkurrojnë me anëtarët e komunitetit të tyre dhe përzgjidhet ai që ka rezultatet dhe kualifikimet më të mira. Në këtë mënyrë, sipas Ajdarit, sigurohet njëkohësisht përfaqësimi dhe përzgjedhja e personave më të kualifikuar.
Rina Ajdari, Deputete e BDI-së
“Ky parim është në përputhje edhe me qëndrimin e Komisionit të Venedikut, i cili thekson se kualifikimet duhet të mbeten kriteri kryesor për punësim. Përkatësia në një komunitet të nënpërfaqësuar mund të merret parasysh, por pa anashkaluar standardet profesionale dhe sigurisht meritën. Prandaj, ky amandament synon të krijojë një ekuilibër ndërmjet përfaqësimit të drejtë të komuniteteve por dhe të ruajtjes së cilësisë. Ai ofron një zgjidhje konkrete për një problem të kahershëm dhe sigurisht kontribuon në ndërtimin e institucioneve më gjithëpërfshirëse”.
Por ky amandament nuk u pranua nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, me arsyetimin se ky propozim vendosë një procedurë të re të punësimit që nuk është parashikuar në propozim ligj dhe tejkalon objektin e tij.
Bekim Sali, zëvendëskryeministër
“Mënyra e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është rregulluar përmes mekanizmave institucional të përcaktuar në ligj, ndërsa procedurat e punësimit rregullohen me legjislacionin përkatës. Zgjidhja e propozuar krijon kolezion me sistemin ekzistues të punësimit në sektorin publik dhe cenon koherencën e propozim ligjit pa sjellë garanci shtesë për realizimin e qëllimit të tij”.
Ndaj arsyetimitë të zëvendëskryeministrit ka replikuar deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, e cila nxori përfundim se sipas përgjigjes së Salit, përfshirja e konceptit të përfaqësimit etnik e nxjerr prej konteksti propozimin e qeverisë.
Ilire Dauti, Lidhja Shqiptare
“Kur ju thoni na nxjerrë prej kornize ky propozim që kërkon përfaqësim etnik, atëherë shtrohet pyetja se cili është qëllimi juaj?! Sepse ne të gjithë e dimë se, arsyet të cilat duhet të na kishin çuar te propozim ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat kanë qenë ato të cilat janë të definuara shumë më herët dhe që janë të përcaktuara në amandamentin e gjashtë të Kushtetutës dhe ku parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është i definuar shumë qartë. Pra, kur ju thoni ky propozim që kërkon të përfshihet etnia ju nxjerrë prej qëllimi, ju dmth jeni në kundërshtim me Kushtetutën e MV-së”.
Propozim ligji për përfaqësim të drejtë u dorëzua në Kuvend më 8 maj të këtij viti. Opozita shqiptarë kundërshton ligjin, pasi nuk ka në fokus përfaqësimin e përkatësisë etnike, por cilësinë.
Teuta Buçi /SHENJA/

