Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në konsultime edhe me këshillin e etikës, në kuadër të reformave në media do të përgatisin një rregullore për mediat online. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, tha se me këtë rregullore, do tu kërkohet ueb faqeve që të publikojnë impreusm, që të dihet saktë se kush është pronari, kush është redaktori dhe kush janë gazetarët që shkruajnë për atë portal. Gjithashtu, siç shtoi ai, mediat online do të duhet të respektojnë të drejtën e përgjigjes dhe demantit.
Ai tha se në këtë moment nuk duhet të kërkohet ndonjë ligj më restriktiv, dhe se kjo është një qasje më liberale, nëpërmjet së cilës do të thirren të gjithë mediat që të respektojnë standardet profesionale. Nëse paraqiten probleme në vazhdim, shtoi Selmani, ata do të jenë të hapur për të diskutuar.
“Qasja jonë është shumë e qartë. Ne dëshirojmë që këto media t’i inkorporojmë në kuadër të këshillit të etikës, t’u japim mundësi që ato të sillen në mënyrë korrekte dhe të zbatojnë parimet themelore të kodit të gazetarëve. Çfarë kërkojmë, nga ata kërkojmë që në ueb faqet e tyre të publikojnë impresum, të dijmë saktë se kush është pronari, kush është kryeredaktori, kush janë gazetarët që shkruajnë për atë portal dhe në anën tjetër të rrespektojnë të drejtën e përgjigjes dhe demantit që është e drejtë kushtetuese.”, deklaroi Naser Selmani, Kryetar i SHGM-së.
Ndryshe, në Maqedoni po qëndron edhe eksperti evropian, Piter Vanhoutte, i cili në bisedimet me partitë politike për zgjidhjen e krizës politike, pati përgatitur një propozim sa i takon reformave në media. Ideja e reformave është që ky propozim që tanimë ndodhet në tavolinë, të vendoset në debat publik, dhe më pas i njejti të procedohet në Kuvend.
“Propozimet që tanimë janë në tavolinë dhe i cili ka dalë nga një proces i gjatë i konsultimeve dhe bisedime para një viti e gjysmë, kur ishin konsultuar të gjitha partitë politike dhe u arrit një kompromis i përbashkët. Më vjen mirë që Qeveria e re do ta fillojë këtë proces me hapjen e konsultime publike rreth propozimeve që tanimë janë në tavolinë. Sigurisht është e rëndësishme që gjatë debatit të hapur të konsultohen dhe në proces të kyçen të gjithë aktorët relevantë. Pas kësaj pres që procesi do të vazhdojë në Kuvend. Kur do të ketë zgjidhje për reformat, do të varet edhe nga shpejtësia e punës në Kuvend”, u shpreh Piter Vanhoutte, ekspert evropian.
Ai shpreson që së shpejti do të ketë rezultate konkrete të miratuara edhe nga Kuvendi. Ai shtoi se është një mundësi që partitë politike opozitare duke e përfshirë edhe VMRO-në, në mënyrë konstruktive të kyçen në debatin e hapur dhe të japin kontributin e tyre në reformat mediatike.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Çështja e portaleve t’i nënshtrohet rregullimit by tvshenjaofficial

