Vazhdimi i krizës politike, po sjell pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi, siç është ngecja ekonomike. Kështu mes tjerash thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Fatmir Bytyqi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. I pyetur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Bytyqi thotë se ato do të ishin skenarë ogurzi për ekonominë e vendit, pasi mund të sillnin deri te shuarja e sektorëve të caktuar ekonomikë, për ri-funksionalizimin e të cilëve do të duhej shumë kohë.
“Ne mendojmë se viti 2017 mund të jetë viti i fundit ku ne do t’i shohim të gjitha pasojat e këqija të dy viteve të fundit. Por, nëse ndodh që të kemi zgjedhje të reja, ne mendojmë se do të jenë një goditje e madhe për ekonominë, ne do të vazhdojmë të kemi ngecje ekonomike, bile edhe regres në rritjen e planifikuar ekonomike për fat të keq. Ne mendojmë se edhe politikanët as që do të duhet të kenë parasysh një skenar të tillë”, tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyqi.
Duke folur për Qeverinë e ardhshme, pa marrë parasysh se nga cilat parti formohet ajo, Bytyqi thotë se në rend të parë ajo Qeveri duhet të jetë më transparente dhe llogaridhënëse, si dhe të sigurojë sundimin e ligjit. Ndërkohë, për Qeverinë e deritanishme, Bytyqi kritikon politikat për tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Është e qartë që fokusi ishte vetëm tek investimet e huaja, dhe vetë ky fakt, ishte dëshpërues. Posaçërisht që nuk u bëjë përpjekje që investitorët e huaj të lidhen me bizneset vendase në zinxhirin e furnizimit”, theksoi Bytyqi.
Përpos kësaj, Bytyqi kritikon edhe mënyrën e miratimit të ligjeve të reja që prekin sferën ekonomike, duke thënë se rreth 80 për qind e afaristëve kanë deklaruar se aspak nuk janë të kyçur në procesin e miratimit të ligjeve të reja.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Bytyqi: Zgjedhjet e reja shkatërrojnë ekonominë by tvshenjaofficial