Kriza politike në Maqedoni ka qenë temë diksutimi edhe në seancën e mbrëmshme të Bundestagut gjerman. Pas analizës së përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Komisioni për çështje evropiane pranë Parlamentit, ka diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, duke vendosur theks të veçantë në situatën në Maqedoni dhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këtë seancë është konkluduar se situata në vend është shumë shqetësuese dhe se nevojitet ndërmejtësim. Anëtarët e komisionit po ashtu kanë konkluduar se vendi duhet të formojë Qeveri funksionale sa më shpejtë të jetë e mundur, jo vetëm për tejkalim të krizës por edhe për shpëtimin e ekonomisë nga shkatërrimi . Anëtari i komisionit, Josip Juratoviq, pas kësaj seance ka thënë për Dojçe Vele se situata është e vështirë në aspektin e formimit të Qeverisë.
“Në një demokraci është legjitime që koalicionet, përkatësisht shumicat të mblidhen në mënyrë të lirë. Duke pasur parasysh që ekziston propozim për koalicion, thjeshtë pritet që Presidenti të pajtohet me zgjedhjen, tani jemi të thirrur, përkatësisht institucionet evropiane në vend duhet qartë t’ia bëjnë me dije Ivanovit se nga aspekti demokratik thjeshtë pritet nga ai të pajtohet me atë, të legjitimoj atë”, ka thwnw Josip Juratoviq.
Ai më tej ka thënë se “ata të cilët janë në pushtet me gjithë forcë po e shmangin përballjen me drejtësinë”. Sipas tij, në vend është kristalizuar klikë e cila ka keqpërdorur pushtetin për pasurim personal. Zgjidhja sipas tij, është hapërimi i vendit në rrugë parlamentare.
“Që ky dyshim është i arsyeshëm tregojnë tentimet që të pengohet gjyqësori i pavarur, që po bëhen tentime të ketë ndikim mbi gjithçka. Në bazë, ky vend stagnon dhe është, ashtu të thuhet, nën kontroll të një klike të caktuar. Kam përshtypje se të gjithë kanë frikë nga “sindromi Sanader”, por ajo është variantë e ëmbël. “Sindromo Sanader” në rajon do të thotë kur Kroacia filloi negociatat për kapitullin 23 dhe 24, kryeministri përfundoi 6 vite në burg. Pikërisht atë dëshirojnë ta pengojnë, të shmanget. Prej këtu vijnë diskutimet për amnisti dhe çështje të tjera”, ka shtuar Juratioviq
Një pjesë më e madhe e Komisionit janë pajtuar se për shkak të komplikimit të situatës është e nevojshme ndihmë nga jashtë me qëllim që të ndihmohet në procesin e ndërmjetësimit, të gjithë faktorët të vijnë në tavolinë të përbashkët dhe të respektohen rezultatet e zgjedhjeve. Ndërkohë, anëtari i komisionit nga radhët e CDU, Torsten Fraj, tha se përveç që është i domosdoshëm ndërmjetësimi për tejkalimin e krizës, nevojitet edhe iniciativë e re që partitë të ulen në një tavolinë dhe të gjejnë zgjidhje.
“Vetëm bisedimet mund të jenë dalje. Ndoshta ka mundësi përmes ndërmjetësimit nga jashtë që bisedimet e tilla të nxiten dhe të largohen pengesat. Do të jem tërësisht I hapur – nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë opcion. Qytetarët kanë votuar ashtu siç kanë votuarm, shumë e vështirë, shumë e komplikuar kur bëhet fjalë për formimin e Qeverisë. Por, është ashtu siç është dhe duhet të gjindet zgjidhje në bazë të kësaj”, ka deklaruar Torsten Fraj.