Sasia e madhe e breshëritë që kishte arritur deri 5 cm, banorëve ju kishte dëmtuar pothuajse të gjitha të mbjellat. Kryetari i këtij fshati Selajdin Shahini njoftoi se dëmet bujqësore janë të shumta dhe kjo gjë do ju kushtoj shumë bashkëfshatarëve pasi siç tha ai, ekonomia e Sllupçanit bazohet dhe varet nga prodhimet bujqësore.
“Shi dhe breshër ka pasur shumë, kisha frikë më së shumti për bujqit, përshkak se ardhmëria e fshatit mbështetet në bujqësinë….me keqardhje e them që dëmi nuk ka qenë edhe aq i vogël…Përafërsisht me aq sa jam i informuar prej njerëzve këtu të fshatit dëmet bujqësore, të mbjellat, elbi dhe drithërat tjera ka dëme të mëdha”, deklaroi Selajdin Shahini, kryetar i fshatit Sllupçan.
Ekipi i televizionit Shenja, vizitoi disa nga pronarët, të cilët kishin pësuar më së shumti nga të reshurat e ditës së djeshme. Ata bënë të ditur se hektar të shumtë të prodhimeve bujqësore, janë prishur dhe se tani këtë procedurë do duhet që ta bëjnë nga fillimi, por siç thonë ata një mundësi të tillë nuk e kanë, pasi shpenzimet janë të mëdha.
“Dëmet janë të mëdha, po i shihni edhe ju. Presht janë të gjitha të prishura, domatet dhe duhani gjithashtu. Në fushë i kam 2000 m të mbjella duhan edhe ato janë prishur. Shalqirin kam poashtu 2000m”, tha një qytetar.
“Dëme kemi shumë. Të mbjellat, shalqiri, misri, të gjitha i ka këputur. Nuk na ka lënë asgjë, domatet, preshtë i ka prishur…Grur kam pasur 4 hektar, por edhe elb. Edhe këtu në shtëpi i kam 3 hektar e gjysmë”, deklaroi një qytetar.
“Kemi dëm prej breshëritë shumë. Në këtë fshat ka bërë shumë dëm breshëri. Shpresojmë të mos vijë më breshër i këtillë, se për besë u ka tharë gojën fëmijëve…E gjithë popullata duhet përsëri t’i mbjellë të gjitha këto bimë, qep, grashak, shalqi, misër, që shërbejnë për popullatën”, u shpreh një qytetar.
Edhe pse dëmet ishin kryesisht bujqësore, shiu i rrëmbyeshëm ka shkaktuar pasoja edhe nëpër rrugët e fshatit, duke grumbulluar baltë dhe mbeturina në mes të rrugës. Kështu qytetarët me vetë iniciativë janë detyruar që ta pastrojnë rrugën, në mënyrë që ta lehtësojnë qarkullimin e banorëve. Për përmirësimin e infrastrukturës së fshatit Sllupçan, kryesisht gjendjes së rrugës, kryetari Selajdin Shahini tha se një gjë e tillë nuk është në agjendën e tyre, mirëpo edhe po të ishte, këtë nuk do të mundnin ta bënin përshkak se siç tha ai, ata si bashkësi lokale nuk kanë asnjë kompetencë, ata qëndrojnë në atë pozitë vetëm si figurë.
“Nuk është në agjend ajo se do të rregullohen ose jo rrugët, kjo varet prej faktorit të formimit të qeverisë, sepse edhe komunat nuk kanë ingerenca, nuk kanë fuqi. Por, ne të bashkësive lokale nuk kemi pasur asnjëherë. Ne nuk kemi ingerenca, ne jemi vetëm si figurë, aktiv në çështje partiake, jo në kuadër të përgjithshëm”, ka deklaruar Selajdin Shahini, kryetar i fshatit Sllupçan.
Reshjet kanë shkaktuar pasoja edhe në fshatrat e tjera të komunës së Likovës, mirëpo ato janë më të pakta. Ndërsa fshat tjetër që ka pasur dëme bujqësore ishte edhe fshati Maqteç.
Emine Ismaili /SHENJA/
Breshëri dëmtoi të mbjellat në Sllupçan by tvshenjaofficial

