Rreth 5 mijë lektyrat shkollore të përbëra nga 62 tituj të ndryshëm që u shpërndanë në pesë shkolla të mesme të Komunës së Tetovës, kanë rezultuar të jenë pirateri. Për këtë, pronari i SHB Onufri, Bujar Hudhri ka paditur Komunën e Tetovës, pasi ka lejuar që shkollat, siç thotë ai, të blejnë libra të vjedhura. Ai tha se, përpos që janë pirateri, librat janë edhe të një cilësie shumë të dobët, përkatësisht, të gjithë librat janë bërë me printer, me letër të bardhe me një cilësi mizerje, siç është shprehur ai.
Bujar Hudhri, Pronar i SHB Onufri
“Unë me këtë nis një aksion për të mbrojtur nderin e shkrimtarit Ismail Kadare, pronën e tij intelektuale që është e trashëgimtarëve të tij dhe botuesit të tij dhe nuk do të lejojë që të nëpërkëmbët këto të drejta, aq më tepër t’i servilen nxënësve botimet e një cilësie kriminale. Sepse ai që do të fitojë para nuk ka interes te cilësia dhe ai nuk është ai mbrapa jam unë. Pra, në bibliotekat e shkollave është Onufri dhe është një turp, është një skandal.Unë do të kërkoj një dënim të rëndë që t’u vijë mendja në vend këtyre njerëzve”.
Ai tha se, nuk do të merret me detajet se cila shtëpi botuese i ka marrë librat, pasi për të ka rëndësi që Kasami mbështet një vjedhje.
Bujar Hudhri, Pronar i SHB Onufri
“Unë nuk arrijë ta kuptoj kryetarin e komunës i cili e deklaroi qytetar nderi Kadarenë dhe këndej vjedhë librat e Kadaresë. Kjo është skandaloze, për mua e papranueshme në një botë të qytetëruar që ti të mund të vjedhësh dikë dhe aq më tepër ti je shteti që e stimulon e mbështet dhe e promovon”.
Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës ka mohuar akuzat e Onufrit, duke thënë se librat i kanë blerë shkollat me mjete vetanak dhe janë blerë nga SHB Çabej.
Albion Alili, Zëdhënës i Komunës së Tetovës
“Kryetari as nuk ka blerë libra as nuk ka shitur, është çështja e SHB Çabej se si i ka marrë librat, se si i ka shitur domethënë është punë e shtëpisë botuese. Nga ana tjetër, me anë të ligjit për furnizim publik, shkollat deri në 5000 euro nuk duhet të hapin thirrje publike, por bëjnë vetëm thirrje për ofertën më të mirë. Në këtë rast, shtëpia botuese ka dhënë ofertën më të lirë dhe është përzgjedhur për blerjen e këtyre lektyrave”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 23 maj vizitoi bibliotekat e shkollave të mesme që u furnizuan me këto libra. Në profilin e tij në Facebook ai mes tjerash ka shkruar se, ky projekt nuk është thjesht një shpërndarje librash, kjo është një investim në dijen, në rininë, në të ardhmen!
Teuta Buçi /SHENJA/